“Kriza politike nuk ndikon në liberalizimin e vizave për shqiptarët”
Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt deklaron nga Gjirokastra
Ambasadori gjerman në Tiranë Bernd Borchardt shprehet se kriza politike në vend nuk ka lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Borchardt u bëri thirrje dy forcave politike të zgjidhin mosmarrëveshjet që janë shfaqur pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, që sipas tij, është në dobi të konsolidimit të sistemit të demokracisë.
“Presim që të dy palët të ulen në tryezë për të zgjidhur ngërçin politik”, tha Borchardt.
Gjatë një vizite të zhvilluar në Gjirokastër, ambasadori gjerman komentoi procesin e liberalizimit të vizave, duke u ndaluar në plotësimin e dy kushteve kryesore që është kërkuar disa muaj më parë nga Komisioni Europian.
“Përmirësimi i infrastrukturës së sistemit të deportimit të emigrantëve (riatdhesimi), lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë dy kërkesat që qeveria shqiptare duhet t’i përmirësojë deri në fund të sezonit të verës”, tha Borchardt.
Ai nënvizoi se Komisioni Europian, në fillim të shtatorit, do të rishikojë në terren përmirësimin e kushteve dhe më pas do të vendosë për liberalizimin e vizave me afat të shkurtër.
“Lufta kundër krimit të organizuar është një element shumë i rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Europian”, shtoi më tej ambasadori gjerman Bernd Borchard.
Borchardt, theksoi më tej, se Qeveria Gjermane gjatë 20 viteve të fundit ka akorduar për Shqipërinë mbi 1 miliard euro, prej të cilave 200 milionë euro vetëm gjatë dy viteve të fundit.
“Disiplinimi i ujit të pijshëm, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike janë dy investimet kyçe ky qeveria gjermane po investon për popullatën”, tha Borchardt.
Sipas tij, qeveria Gjermane do të japë një kontribut të vyer edhe për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Unë do t’i rekomandoj qeverisë gjermane të investojë fort në fushën e turizmit natyror, historik dhe kulturor”, u shpreh më tej ambasadori gjerman.