Koalicioni i PS, ikën PBDNJ vijnë komunistët e PPSHR
Socialistët nuk kanë mundur të mbajnë brenda “vathës” së tyre minoritarët e Vangjel Dules, pasi PBDNJ nuk ka pranuar të firmosë për të qenë pjesë e koalicionit opozitar, ndërsa kanë afruar komunistët e Marko Dajtit. Partia Socialiste ka dorëzuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm pak minuta para skadimit të afatit ligjor, listën e koalicionit opozitar që është titulluar “Aleanca për të Ardhmen” dhe në përbërje të të cilit janë renditur 24 parti, duke përfshirë që nga kristianët e deri te myslimanët, që nga të përndjekurit e deri te komunistët.
Koalicioni
Partia Socialiste ka mundur të mbyllë dje në mënyrë zyrtare koalicionin e saj paraelektoral me 24 subjekte zgjedhore, duke kaluar për nga numri atë të së djathtës, e cila mundi të regjistrojë vetëm 22 të tilla. Por pavarësisht numrit të madh të forcave të rreshtuara në këtë koalicion, pjesë e tij nuk është bërë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Vangjel Dule. Shkak është bërë pikërisht Himara, të cilën socialistët nuk kanë pranuar ta lënë si zonë të lirë për Vasil Bollanon e PBDNJ-së. Burime pranë PS-së kanë bërë të ditur dje se dy forcat politike kanë negociuar gjatë lidhur me këtë çështje, por PS nuk ka pranuar deri në fund që të lëshojë këtë bashki, e cila shpesh është bërë shkak për konflikte të hapura mes minoritetit grek dhe shqiptarëve. Për të mos marrë përsipër një kosto politike si mbështetëse e Vasil Bollanos, PS ka qenë e gatshme të konkurrojë në këto zgjedhje pa PBDNJ-në, sesa të mbështesë kryetarin aktual të Bashkisë së Himarës. Po për të njëjtat arsye, Partia Socialiste ka hedhur poshtë në momentet e fundit një bashkëpunim të mundshëm me komunistët e Hysni Milloshit.
Komunistët
Por ndërsa ka refuzuar të bashkëpunojë në këto zgjedhje me Partinë Komuniste të Hysni Milloshit, socialistët kanë firmosur sërish me komunistët e grupuar në një forcë tjetër politike me emrin, Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar( PPSHR), e drejtuar nga Marko Dajti. Madje kjo forcë politike njihet edhe më e prerë në idealet komuniste, pasi njihet edhe si trashëgimtare e Partisë së Punës së sistemit totalitar, pasi ka në gjirin e saj dhe një prej djemve të Enver Hoxhës, Ilir Hoxhën. Nga sa shihet, në faqen zyrtare në internet të kësaj force politike, Ilir Hoxha është një nga personat mjaft aktiv në aktivitetet e kësaj parti. Ndërkohë që koalicioni ofron në përbërjen e tij shumë forca politike, që kanë veç siglën, si dhe përfaqësojnë programe politike krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Kështu ndërsa nga njëra anë janë afruar komunistët e PPSHR, nga ana tjetër janë bërë pjesë e koalicionit edhe partia e të përndjekurve e Kurt Kolës. Gjithashtu, në krijimin e këtij koalicioni, socialistët kanë shkrirë dhe dallimet që mund të ekzistojnë teorikisht mes katolikëve dhe muslimanëve. Kjo pasi në koalicion janë bërë pjesë demokristianët e PDK-së së Nard Ndokës dhe myslimanët e Partisë Demokratike e Bashkimit Mysliman, me kryetar Sabri Jaçaj.
Koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen”
Partia Socialiste Edi Rama
Partia Demokristiane Nard Ndoka
Partia Socialdemokrate Skënder Gjinushi
Partia Demokracia Sociale Paskal Milo
Partia Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela
G 99 Ervin Mete
PSV 91 Petro Koçi
Partia e Gjelbër Edlir Petanaj
Partia Rruga e Lirisë Kurt Kola
Aleanca Arbnore Kombëtare Gjetë Ndoji
Partia Socialiste e Moderuar Gjergj Koja
Partia për Mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të Shqipërisë Kadri Isufaj
Partia Bashkimi Republikan Shqiptare Zane Llazi
Parti Reformatore Demokratike Skënder Halili
Partia Ardhëmria Shqiptare Emin Subashi
Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë Selami Jenisheri
Partia e Mbrojtes së të Drejtave të Emigrantëve Ymer Kurti
Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar Marko Dajti
Partia Uniteti Kombëtar Idajet Beqiri
Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet Halim Feitaj
Partia Lëvizja për Drejtësinë e Shqipërisë Astrit Kosturi
Partia Toleranca e Re e Shqipërisë Avdi Keçi
Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman Sabri Jaçaj
Partia Pajtimi Kombëtar Spartak Dobi