E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Të emëruarit e KZAZ-ve do qëndrojnë në detyrë

Maxhoranca mbështet kreun e KQZ dhe veprimtarinë e institucionit. Opozita, debate të ashpra

Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve (KZAZ) pritet të kthehen në një pikë të fortë debati mes opozitës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo për faktin se kreu i KQZ-së, Arben Ristani, nuk ka ndërmend të revokojë vendimin për emërimin e disa individëve pa parti, si anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, në postet që u takonin partive të opozitës. Një fakt të tillë, Ristani e ka bërë të ditur dje, pas raportimit që bëri në Komisionin e Ligjeve, lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2010. “Anëtarët e KZAZ, të emëruar nga KQZ për të plotësuar kuorumin vendimmarrjes në këto komisioneve, janë në detyrë dhe do të qëndrojnë normalisht në detyrë”, - tha Ristani, duke rrëzuar shpresat e PS-së dhe PBDNJ-së, për të emëruar në këto pozicione anëtarët e tyre të propozuar vetëm disa ditë më parë jashtë çdo afati kohorë ligjor. Megjithatë, ai ka bërë të qartë se pavarësisht këtij qëndrimi, KQZ do të ketë një vendimmarrje edhe për listat e propozuara nga PS dhe PBDNJ për anëtarë të KZAZ-ve, por pa qartësuar nëse ato do të pranohen dhe nëse po, si do jetë zgjidhja që do jepet për anëtarët e emëruar tashmë nga ky institucion. “Sigurisht që do të ketë një vendimmarrje për propozimet e PS dhe të PBDNJ dhe do të jetë ditët e ardhshme të afërta”, - tha Ristani për mediat. Nga ana tjetër, ai ka pranuar se KQZ po fotokopjon një pjesë të materialeve zgjedhore, të përdorura në vitin 2009, por jo listat e zgjedhësve, siç edhe akuzon opozita. “Për sa i përket historisë së fotokopjimeve, janë qyfyre që nuk i kanë munguar këto kohë realitetit shqiptar. KQZ zbaton ligjin me korrektesë. Ka fotokopjuar një pjesë të dokumentacionit që ligji kërkon, që origjinali të shkojë në Arkivin Qendror të Shtetit, pra që kopja të ngelet në KQZ, por që këto dokumente s’kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore. Por është një dokumentacion ndihmë, që u ka shërbyer KZAZ-ve, në punën e tyre dhe që ligji thotë që origjinali shkon në arkiv dhe kopja mbetet në KQZ”, - tha Ristani. Ndërsa gjatë raportimit që bëri në Komisionin e Ligjeve, Ristani ka bërë një përmbledhje të punës së këtij institucioni për vitin 2010, duke evidentuar momentet më të rëndësishme, pavarësisht se viti i shkuar nuk ishte një vit zgjedhor. Pavarësisht debateve politike të vitit të shkuar, ku në qendër të së cilave ishte dhe roli i KQZ-së, Ristani ka vlerësuar se institucioni që ai drejton ka zbatuar vetëm ligjin. Ndërsa përsa i përket vendimmarrjes së hapjes së kutive zgjedhore, ai ka theksuar se ajo u shty për shkak të ndjeshmërisë që kishte kjo si çështje. Ndërkohë, departamenti i monitorimit të institucioneve të pavarura në Kuvend, vlerësoi si të shkëlqyer punën e KQZ-së, pavarësisht debatit që shkaktoi veprimtaria e këtij institucioni dhe akuzave të opozitës. “KQZ duhet të vendosë sanksione më të ashpra ndaj institucioneve të pushtetit vendor, si dhe ndaj komisionerëve që shkelin ligjin. Nxjerrim si konkluzion që komisioni ka punuar në mënyrë të lavdërueshme”, - u shpreh përfaqësuesi i këtij departamenti. Ndërkohë që relatori i komisionit, Viktor Gumi, ka vlerësuar gjithashtu punën e kryer nga KQZ, ndërsa ka analizuar me detaje pikat kryesore të raportit vjetor të punës. Por s’kanë qenë në një mendje deputetët socialistë, të cilët kanë evidentuar se KQZ më shumë ka punuar e ndikuar politikisht. Për të ilustruar këtë konstatim, ata kanë prurë në vëmendje problematikën që ka lindur si pasojë e vendimmarrjeve që nuk kanë respektuar kundrafirmën e nënkryetares. Madje, ata kanë ngritur shqetësimin e nënkryetares Dëshira Subashi, për paligjshmërinë e këtyre vendimeve, duke akuzuar Ristanin se e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen e anëtarëve të opozitës në këtë komision. Por lidhur me këtë shqetësim, Ristani ka theksuar se ka zbatuar ligjin dhe çdo akt apo vendim i lëshuar nga KQZ është firmosur edhe nga nënkryetarja. Ndërsa për rastet kur kjo gjë nuk është bërë e mundur, si në rastin e vendimmarrjes për hapjen e kutive dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe administrimin e tyre, Ristani ka bërë të ditur se këto raste i kanë kaluar për vendimmarrje KQZ-së. Gjithashtu, Ristani ka vlerësuar si lojë të ulët sjelljen e anëtarëve të opozitës në KQZ, duke u larguar herë pas here nga mbledhjet. Lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe deputeti Fatos Hoxha, i cili ka kërkuar prej tij që të padisë tre përfaqësuesit e majtë të KQZ-së për shpërdorim detyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›