“Koalicioni me PS i natyrshëm, bashkëqeverisja me PD ishte e suksesshme”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta shpjegon arsyet e largimit nga koalicioni mazhoritar
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një konferencë për mediat shpjegon arsyet pse e pranoi ftesën e liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama për një koalicion parazgjedhor.
Ai theksoi se dy partitë i përkasin të majtës dhe kanë qëllime të përbashkëta për interesin e vendit. “Kryesia vlerësoi të përfunduar marrëveshjen qeverisëse me PD-në. Nuk ka qenë vendim i lehtë koalicioni me PD-në pas zgjedhjeve të 2009-ës. Ishte një koalicion i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm, por ka qenë vendim i drejtë dhe i nxitur nga interesi i vendit dhe stabilitetit të tij. Kemi treguar se jemi forcë e ndërgjegjshme që i përmbahemi marrëveshjeve. Koalicioni me PS-në është i natyrshëm. Ne jemi një forcë politike serioze, e zbatimit të ligjit, që i përmbahemi marrëveshjeve. Momenti në të cilin ndodhemi, u vlerësua për një kompleks rrethanash, se duke bërë një aleancë me Partinë Socialiste, mund të kontribuojmë më shumë, sesa duke vazhduar me Partinë Demokratike”, tha Meta.
Sipas tij, “koalicioni me PS-në nuk është i panatyrshëm, pasi janë forca që i takojnë të majtës, pavarësisht historive të ndryshme, kanë një qëndrim të përafërt në lidhje me historinë, për Luftën Antifashiste nacional Çlirimtare dhe programit. Këto dy parti janë pjesë e së majtës europiane, e cila e ka mbështetur LSI-në që në fillimet e saj. Duke kaluar në opozitë, jo vetëm që jemi rikthyer atje ku filluam, pasi si forcë opozitare, por kemi marrë të gjitha përgjegjësitë dhe pasojat duke treguar se LSI-ja është një forcë kurajoze në emër të ndryshimit konstruktiv për vendin tonë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në vitin 2005 nuk ishte LSI-ja ajo që përjashtoi koalicionin me PS-në. Unë besoj se ne iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së kryetarit të ri të Parisë Socialiste në vitin 2006 për bashkimin e së majtës dhe që sollën fitore të jashtëzakonshme të opozitës jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytet të tjera”, shpjegoi Meta. Kreu i LSI nënvizoi se partia e tij është një forcë serioze që vlerat e saj bashkëpunuese do të kuptohen në vijim.