E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama kopjon programin qeveritar për krijimin e vendeve të reja të punës

06-04-2013 / Gazeta 55

“Në përpjekje për të thënë diçka Z. Rama po kopjon edhe nenet e ligjeve të miratuara nga qeveria. Kjo, dëshmon më së miri padijeninë e Ramës dhe njerëzve të tij”

Partia Demokratike sulmoi sërish kreun e opozitës, Edi Rama sa i takon programit politik dhe premtimeve të bëra në qytetin e Durrësit.
Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi deklaroi dje, se në Durrës, zoti Rama mbrojti krijimin e vendeve të punës nëpërmjet programeve qeveritare që kanë kohë që ekzistojnë si dhe vazhdoi serinë e fakteve imagjinare që ai krijon në dhomën e tij mavi. “Dje u bëmë dëshmitarë të çudirave të reja të  Z. Rama. Në mungesë të ideve të reja, z. Rama premtoi si ide të tij një normë ligjore të ligjit të arsimit parashkollor të votuar dhe miratuar në parlament qysh në shtator 2012, që parashikon emërimin e mësuesve në partneritet me prindërit e nxënësve. Në përpjekje për të thënë diçka Z. Rama po kopjon edhe nenet e ligjeve të miratuara nga qeveria. Kjo, dëshmon më së miri padijeninë e Ramës dhe njerëzve të tij”, u shpreh Vorpsi.
Por më e habitshme nga të tëra, vijoi Vorpsi, ishte fakti se zoti Rama vazhdoi të tregonte se jo vetëm që disponon të dhëna të gabuara, por ka dhe ide të gabuara. “Zoti Rama në të vërtetë propozoi që Shqipëria të kthehet në një sistem ku familjet e varfra në nevojë detyrohen nga qeveria lokale të bëjnë punë të detyruar në mënyrë që të përfitojnë asistencën sociale. Kjo, nuk duhet të jetë një surprizë  pasi ky ishte një sistem që ai e mbrojti si kryetar bashkie. Dhe le të jemi të qartë, këto familje do të detyrohen të punojnë për më pak se ç’është paga minimale. Kjo pra është, zgjidhja e zotit Rama për familjet që kërkojnë ndihmë ekonomike, familje që janë në nevojë, ti detyrojë ato të punojnë për më pak se rroga minimale”, nënvizoi Vorpsi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›