Apashët nuk gjuajtën sorra!
Nuk ka Republika Srpska në veri të Ibrit. Bosnja në Kosovë nuk mund të përsëritet. Iu tha qartë jo vetëm ekipit serb në bisedimet në Bruksel, të cilët duket se e kanë kuptuar se gabimet dhe përvoja e hidhur me Bosnjën, nuk do të lejohet në Kosovë. Për këtë shqiptarët vërtet, edhe pas kaq vitesh, kanë arsye t’u këndojnë rahmet viktimave të Bosnjës. Srebrenicës, Bjelinës, Bërçkos... pa të cilat intervenimi ushtarak i 1999-ës, zoti e di sa do të vonohej, por edhe Republika Srpska, pjellës së Dejtonit që e ndali luftën, por hapi një konflikt të përhershëm, fundi i së cilit nuk shihet askund. Kur u fundosen shpresat se edhe në veri të Ibrit, do të nxjerrin diçka të tillë dhe se hapësira për të marrë një vendim që do të hapte dyert e BE-së për Beogradin, u ngushtuan aq sa matet edhe me orë, zyrtarët serbë tashmë nuk e fshehin se cili është vendimi që mund të marrin. Problem tani e kanë si t’ia kumtojnë këtë opinionit. Atyre që deri dje i kanë gënjyer se Kosova është dhe do të mbetet serbe, si t’ua thonë se përrallave të tilla u ka ardhur fundi. Si t’ua thonë këtë atyre të cilëve askush nuk ua ka kumtuar se Serbia ishte humbëse e luftës, se përrallave mitomane u ka ikur koha, se Apashët mbi qiellin e Kosovës nuk patën fluturuar për të gjuajtur sorra, se nuk është e vërtetë që më 1999, nuk ka ndodhur asgjë e veçantë. Për këtë, nënkryetari i qeverisë ai Vuçiqi i ashpër, iu kthye retorikës racionale të Drashkoviqit tek thoshte dje se Serbia është e ballafaquar me dy zgjidhje, njësoj katastrofale - me pranimin ose refuzimin e zgjidhjes shumë të keqe që po u ofrohet për Kosovën. E për marrjen e një vendimi dhe përcaktimit të Serbisë, në rrugën drejt BE-së, apo në drejtimin e kundërt kah vëllai rus, duke marrë rolin e Kubës së Ballkanit, nuk ka më shumë kohë. Duke përqafuar rolin e viktimës, me shpresë se diçka mund të ndryshohet në momentin e fundit, diçka që do të mund të quhej “humbje me fytyrë”, krerët në Beograd, duan të trembin Brukselin, gjoja me trazirat që mund të shpërthejnë jo vetëm në veri, por edhe në Beograd. Dhe atë me Planin e Ahtisarit, planin që garanton të drejtat dhe liritë më të gjera që njeh demokracia evropiane, por që qenka plan “shumë i keq për serbët”. Me mendësinë tradicionale serbe që në të kaluarën u është treguar efektive, se ajo që është e është e tij, normalisht, i takon atij ndërkaq ajo që është e jotja është e diskutueshme, Beogradi ka insistuar në pazare të tilla. Që bashkësinë e katër komunave serbe në veri, ta veshë me pushtet legjislativ e ekzekutiv, gjykata e polici, ashtu që brenda Kosovës të instalojë një plagë, që shtetin e Kosovës me kohë do ta çonte në atrofi. Tani kur kjo nuk pi më ujë, për nënshkrimin e paralajmëruar Beogradi shfajësohet me atë se s’ka zgjidhje tjetër pasi SHBA qenkan në anën e Prishtinës, ashtu siç ishin në anën e viktimës, në anën e së drejtës, ne anën e humanes e jo në anën e barbarizmit, krimit dhe terrorit në regji shtetërore. Më në fund, zgjidhje tjetër të qëndrueshme nuk ka. Alternativë mbetet reciprociteti me Luginën, si zgjidhje më e qëndrueshme, por që duket se nuk përputhet me strategjitë dhe planet e faktorëve tjerë për zhvillimet e pritshme në këtë hapësirë ballkanike. Se punët nuk përfundojnë me nënshkrimet në marrëveshjen eventuale, se nuk do të shkojë lehtë me zbatimin nuk ka nevojë të bindet askush që ka një përvojë me serbët. As Uashingtonit as Brukselit, nuk u mungojnë përvojat e tilla me serbët. Jo vetëm me Bosnjën dhe viktimat, të cilave Kosova ka shumë arsye t’u këndojë rahmet. Marrëveshja me Kosovën nuk do të jetë fatkeqësi për Serbinë. Përkundrazi. Kosova ka kohë që është e humbur për Serbinë. Përveç në mendjet e atyre që s’ka pas kush t’u tregojë se Apashët vërtet nuk ishin këtu për të gjuajtur sorrat.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”