E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni që garanton votën

Edi Rama

-Sot ne jemi një koalicion më i madh. Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë: Sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare janë më të vetmuar nga humbja e tyre.  Por koalicioni ynë do të jetë edhe më i madh deri ditën kur do të regjistrohet për të hyrë në fushën e betejës, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare do të jenë edhe më të vetmuar atë ditë. Ndërkohë që angazhimet tona të programit për një Rilindje Shqiptare, vlerat, parimet dhe zotimet e këtij programi, nuk kanë lëvizur as edhe një presje. 

Vetëm sot Lirie Mera, 45 vjeç ka humbur jetën teksa ka qenë duke gërmuar për krom në minierën e Bulqizës. Nëna  e tre fëmijëve, ka mbetur poshtë një masivi gurëve, të cilët janë shembur mbi të. Në fshatin Breçan të Devollit një automjet ka rënë në lumë, ç’ka ka sjellë humbjen e dy grave. Në zonën e Kasharit në Tiranë një vajzë 26- vjeçare është plagosur pas një sherri mes dy të rinjsh. Vajza punonte si balerinë. Burimet policore thonë se ajo është vrarë aksidentalisht, pasi e kanë kapur dy nga plumbat. Sonila Tafaj fatkeqësish nuk u ka rezistuar plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital. Një krim i rëndë është shënuar në Durrës. Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në fshatin Kullë, ku djali ka qëlluar me mjete të forta nënën e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

Katër lajme për pesë gra të cilat nuk janë më në jetë sot në harkun e më pak se 24 orëve. Kjo është Shqipëria që ne kemi. Kjo është Shqipëria që ne duam të rilindim. Kjo është Shqipëria të cilën në vitin 2005 Saliu dhe Partia Demokratike e morën përdore, duke i treguar duar të pastra te të cilat, fatkeqësisht, pati shumë njerëz që i besuan. Ashtu sikundër, marrja përdore e Shqipërisë nga ato duar, u bë e mundur sepse duart tona, duart e të gjithë atyre, zemra e të cilëve rreh majtas, nuk ishin të bashkuara...Të gjithë janë dëshmitarë që nëse cilitdo nga ne i shfaqet një kërcënim për fëmijën, për pronën, për familjen, gjëja e parë që bëjmë nuk është të marrim në telefon policinë. Gjëja e parë që bëjmë është të ngremë telefonin dhe të mundohemi të kontaktojmë me miq, me kushërinj, me fisin, me komshinj, ose me të fortët e lagjes, për të krijuar menjëherë një çetë dhe për t’u mbrojtur nga rreziku që është shfaqur në derën e shtëpisë. Ne jemi të gjithë dëshmitarë që në fshat vazhdon armatimi i njerëzve me çifte për të mbrojtur pronën, për të mbrojtur shtëpinë nga grabitjet. Ne jemi të vetëdijshëm që rritet në shkollat e mesme numri i armëve që futet nëpër klasa. Ne jemi të vetëdijshëm që 45% e nxënësve të gjimnazeve janë të përfshirë në një konflikt fizik, pra e kanë njohur dhunën, në çfarëdo forme që mund të konsiderohet si shfaqe e dhunës. Ne jemi të vetëdijshëm se sot shqiptarët gjendjen e krimit e konsiderojnë të papërballueshme dhe problemin e kriminalitetit e konsiderojnë prioritetin kryesor. 

Sot Shqipëria vuan, sigurisht, varfërinë e madhe, papunësinë e madhe, dëshpërimin e madh social, por në krye të të gjithave Shqipëria sot vuan varfërinë e aspiratave. Ndërruam një regjim që në emër të një aspirate shumë të lartë; të aspiratës Shqipërinë si gjithë Europa, Shqipërisë së qeverisur nga ata që zgjedh populli sovran, të Shqipërisë të udhëhequr në emër të interesit kombëtar dhe publik, të Shqipërisë ku gjithsecili është zot në vendin e vet dhe ku mjafton talenti, aftësia, vullneti i tij për të shkuar përpara në rrugën e lirë të konkurrencës, të Shqipërisë ku nuk mund të ketë fëmijë të cilët mbeten të pashkolluar, madje analfabet, të Shqipërisë ku nuk mund të ndodhë që mësuesit të rekrutohen me teser partie dhe të qëndrojnë në shkollë si tutorë të një kolektiviteti fëmijësh që përdoren për fushata elektorale dhe me radhë e me radhë...

Aspirata e madhe europiane, aspirata e madhe për t’u afirmuar në këtë botë të hapur dhe për të shkuar përpara falë talentit dhe aftësive në rrugën e konkurrencës së lirë, çoi shumë shqiptarë jashtë atdheut. I çoi symbylltas në kërkim të një suksesi të imagjinuar dhe pa menduar fare se çfarë pengesash do të gjenin rrugës. Sot shumë shqiptarë ia kanë arritur. Ne kemi plot miq, ne kemi plot të njohur që janë shembull i këtij suksesi. I suksesit të një shqiptari që nuk ka pasur asgjë përveç forcës së imagjinatës, talentit dhe vullnetit për të rendur pas ëndrrës së vet në një botë që ishte tërësisht e panjohur për të dhe ku ai ishte tërësisht i panjohur për atë botë...

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›