Papa Françesku: Nuk na shpëtojnë magjistarët, as letrat e lojës e as vetvetja, vetëm Jezusi shpëton
Vetëm në emrin e Jezusit shëlbohemi: këtë pohoi dje paradite Papa, në homelinë e shkurtër, mbajtur gjatë Meshës, kryesuar në Kapelëzën e Shtëpisë së Shën Martës. Të pranishëm në kremtim, disa bashkëpunëtorë të Papës dhe një grup punonjësish të farmacisë së Vatikanit. Duke komentuar leximet e së Premtes së Tetëditëshit të Pashkëve, Papa kujtoi, me Shën Pjetrin, se “vetëm nëpër Jezusin fitohet shëlbimi. Sepse, në të vërtetë, s’ka asnjë tjetër nën kupë të qiellit, që mund të na shëlbojë”. Pjetri, që e pati mohuar Krishtin, tani, edhe pse në pranga, jep me guxim dëshminë e tij përballë krerëve të judenjve, të cilëve u shpjegon se e shëroi sakatin vetëm duke u lutur në emër të Krishtit. Është ky, emri, që shëlbon. Por, nuk duhet harruar se Pjetri nuk e shqipton këtë emër i vetëm: kur e shqipton, është përplot me Shpirtin Shenjt. Ne nuk mund ta dëshmojmë Jezusin, nuk mund të flasim për Jezusin, nuk mund të themi asgjë për Jezusin, pa praninë e Shpirtit Shenjt. Është Shpirti i Zotit ai, që na nxit ta dëshmojmë Jezusin, të flasim për Jezusin a të kemi besim në Jezusin. Jezusi është në udhën tonë të jetës, gjithmonë - theksoi Papa - e në vijim, në përkim me stilin e tij të predikimit, tregoi edhe një anekdotë: “Në Kurien e Buénos-Ájres punon një njeri i përvuajtur, baba i tetë fëmijëve; punon që prej 30 vjetësh. Para se të dalë, para se të niset për të kryer punët e veta, dëgjohet gjithnjë duke shqiptuar fjalën “Jezus”. E unë, një herë, e pyeta: “Pse thua gjithnjë ‘Jezus’?”. “Kur them Jezus”, m’u përgjigj ky njeri i thjeshtë, e ndjej veten të fortë, e ndjej se mund të punoj, e di se e kam përkrah, se më ruan”. Ky njeri, vërejti Papa, nuk ka studiuar teologji, ka vetëm hirin e Pagëzimit e forcën e Shpirtit Shenjt. E kjo dëshmi, vijoi Papa Françesku, mua më bëri mirë. Më bëri mirë. E u bën mirë të gjithëve. U kujton se në këtë botë, që na ofron shumë shpëtimtarë, emri i vetëm, që shëlbon, është ai i Krishtit. Shumë njerëz, vijoi Ati i Shenjtë, për të zgjidhur problemet e tyre të ngatërruara, vrapojnë tek magjistarët a tek ata, që mendojnë se fatet njerëzore mund të lexohen në letrat e lojës. Si të ishte jeta lojë bixhozi! Po ata s’mund të shpëtojnë as veten, jo më të tjerët! Vetëm Jezusi mund të na shpëtojë. Duhet t’ia dëshmojmë botës me guxim këtë të vërtetë. Ai është i vetmi. E Zoja e Bekuar na çon gjithnjë tek Jezusi, si në Kanë, kur tha: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”. Kështu, përfundoi Papa, t’ia besojmë vetveten emrit të Jezusit, të lutemi në emër të Jezusit, duke e lënë Shpirtin Shenjt të na nxisë për t’u lutur plot besim në emër të Krishtit... Ju siguroj se do të na bëjë mirë”.
Kardinali Skola: Duhen rimenduar format e ushtrimit të pushtetit në vend/Të mërkurën e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit ishin të pranishëm dhjetë mijë shtegtarë nga kryedioqeza e Milanos, një nga dioqezat më të mëdha të Kishës Katolike Universale. Kryesoheshin nga kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i kryeqytetit ekonomik të Italisë. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, Hirësia e Tij, flet për këtë shtegtim, por edhe për kuadrin historik botëror, në të cilin filloi misionin Papa Françesku. “Ishte shtegtim i parashikuar prej kohe, para dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, me tre qëllime: i pari, të ripohonim, në Vitin e Fesë, besimin tonë mbi Varrin e Shën Pjetrit e të Shën Palit; i dyti: të falënderonim Benediktin XVI për vizitën e tij në Milano, me rastin e Ditës VI botërore të familjeve; e pastaj, pasi rrjedha e ngjarjeve shtoi edhe një qëllim të ri, t’i shprehnim përzemërsinë, afërsinë, urimin tonë, Papës Françesku, që nisi udhën e tij të re. Gjest shumë i bukur, ky. Ishim 10 mijë shtegtarë, ndërmjet të cilëve, 6 mijë të rinj e të reja me moshë 14 vjeçare, siç u pa në Shesh. Të rinjtë janë plot entuziazëm. Fjalët, që u tha Ati i Shenjtë, ishin shumë depërtuese, shumë të thjeshta e besoj se tani meshtarët e pranishëm, edukatorët e tyre, do t’i ndihmojnë t’i rikujtojnë e t’i vlerësojnë, për t’i shoqëruar, kështu, në udhën e tyre të fesë.
Kjo papni nisi në një çast historik për jetën e botës, plot me sfida të rëndësishme për kulturën dhe propozimin e krishterimit....
Sigurisht. Provania na dha një shenjë të madhe me emërimin e Papës Françesku, njeri që di t’i flasë drejtpërdrejt zemrës së njerëzve, përmes gjesteve, përmes shenjave, përveçse përmes fjalëve e vëmendjes së madhe, që lindi qysh në dukjen e tij të parë. Më duket shenjë e madhe shprese për Provaninë. Besoj se Papa Françesku i njeh mirë skutat e njerëzimit, siç i quan ai vetë, njeh situatat e vështira, vuajtjet, kontradiktat, lodhjen e dhimbjen, që pëson sot njerëzimi, për të qenë, kështu, prijës i sigurtë për të gjitha Kishat e të gjitha kontinenteve e për t’i ndihmuar të krishterët në detyrën e dëshmimit, që duhet të arrijë edhe në mjediset e jetës së përditshme të njerëzve. Mendoj se Papa i ri, shumë i interesuar për çështjen shoqërore, do të jetë në gjendje t’i kuptojë problemet më të mprehta; e rrënja e tij italiane, do ta ndihmojë të kuptojë edhe situatën e ndërlikuar evropiane, me zhvillimin e demokracive, t’i quajmë liberale, që rrjedhin nga natyra plurale e kësaj shoqërie e që na detyrojnë ta rimendojmë plotësisht temën e shoqërisë civile, të lidhjeve të saj me shtetin, të mënyrës së pjesëmarrjes; e njëkohësisht, duhet ta rimendojmë edhe temën e laicitetit. Besoj se gjesti i përvujtërisë së madhe të Benediktit XVI i hapi në të dy kanatat Kishës, në vazhdimësi të plotë me papnitë e pasluftës, një pistë të re. Tani na takon ne të krishterëve, ta përshkojmë.
Ju jeni bari i një dioqeze të madhe, siç është Milano, kryeqytet ekonomik italian. Në frontin e drejtimit të së mirës së përbashkët, duhen përballuar probleme jo të vogla. Ndërmjet tyre, ndoshta, edhe mungesa e përgjegjësisë së njerëzve, që qeverisin pasurinë publike....
Besoj se kemi të bëjmë me një përpjekje, që duhet bërë nga të gjithë qytetarët, të cilët duhet të marrin pjesë masivisht jo vetëm në votime, por edhe, e sidomos, në jetën e përditshme. Pastaj, kush ka përgjegjësi në të gjitha nivelet, duke nisur nga niveli kishtar – natyrisht me dallimet e duhura – për të kaluar në nivel politik, shoqëror, ekonomik, financiar, e kështu me radhë, duhet të ecin në rrugën e ballafaqimit, të krahasimit në të gjitha fushat. Përballë të gjithëve, në mënyrë që të gjejnë tani, menjëherë, një dalje mjaft të sigurtë nga situata e, në perspektivë, t’i rimendojnë edhe format e ushtrimit të pushtetit në këtë vend.