E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kë duhet të votoj?

Enxhi Kastrioti/Maturante

-Fushata ndonëse ende nuk është çelur zyrtarisht, ethet e saj i kanë pushtuar të gjithë. Ca nga halli, ca të tjerë nga pamundësia për t’iu shmangur kësaj vorbulle mendërisht lodhëse, e cila ka pushtuar ditët tona e s’po na lë të marrim frymë lirisht. Madje as nëpër televizione nuk do të kemi çfarë shohim më, sepse do të jenë sërish ata që ishin 4 vjet më parë, po ata që kanë qenë 20 vjet më parë e ndoshta edhe më shumë, që do të thonë serish te njëjtat broçkulla. Do të pushtojnë sheshet, parqet, me takimet e tyre elektorale të premtimeve boshe. Qytetet tona do të veshin petkun zgjedhor, me zbukurimin shëmtues që vetëm posterët e politikanëve, të vendosura vend e pavend dinë të ofrojnë. E teksa po sillja nëpër mend gjithë situatën me vete thashë: Ditë stresuese na presin! Ditë kur na duhet t’i bëjmë të dy sytë qorr e të dy veshët shurdh për t’i shpëtuar sado pak presionit elektoral. Ditë kur do të na duhet të nisim mëngjeset tona me fletushkat poshtë derës, të cilat na udhëzojnë se për kë të votojmë, apo të dëgjojmë trokitjet e “miqve”, të cilët kujtohen vetëm në raste zgjedhjesh për ekzistencën tonë. Megjithatë edhe këta duhet të përpiqemi t’i kuptojmë, pasi në një kohë kur këto partitë tona, na janë kthyer me plot kuptimin e fjalës në dyqane, të cilët përveç produkteve të tyre të përhershëm; korrupsionit, kriminalitetit, varfërisë, pazareve të fëlliqura, kanë nisur të tregtojnë edhe vende pune. Dhe sigurisht nuk e kam fjalën për hapjen e vendeve të reja të punës, po për mbipopullimin e administratës shtetërore me militantë partiakë që jo domosdoshmërisht janë të af- të. Megjithatë fajtorë nuk janë vetëm politikanët, madje as mediat që përpiqen të na i servirin orë e çast, pasi ato na “ushqejnë” më atë që më së shumti preferojmë të konsumojmë, por jemi vetë ne që e kemi kthyer çdo detaj të jetës sonë, ose në funksion të politikës, o patjetër të lidhur me të. Bisedat, debatet, diskutimet tona, fillojnë dhe mbarojnë me politikën, por jo për të gjetur dhe përmirësuar problemet e saj, e kështu detyrimisht duke zgjidhur hallet tona , por ne vazhdojmë e veprojmë me një verbëri të pashoqe. Nuk kemi mundur të krijojmë një lloj distancimi nga impulset politike, nga mendime të paarsyetuara, të udhëhequra thjesht nga përkatësia e pandryshueshme partiake, pikërisht ashtu siç vepronim në komunizëm. Ne zgjedhim të heshtim përballë situatës në të cilën po jetojmë. Zgjedhim të heshtim ndaj një krize ekonomike që po na varfëron çdo ditë e më shumë, ndaj vrasjeve nga më monstruozet që po ndodhin çdo ditë. Heshtim ndaj dhunimit të fëmijëve, grave, krimit brenda familjeve. Ndaj ç’mund të presim më shumë nga politika, kur ne vetë si popull, jemi transformuar në një bashkëpunëtor primar të së keqes, i cili nuk sheh më larg se përtej hundës së tij? Do na shkonte për shtat një shprehje e popullit tonë: S’ka më të verbër se ai që s’do të shohë. Përballë këtyre sulmeve psikologjike, ofertave të turpshme, menefregizmit shoqëror për situatën, shoqëruar me pamundësinë parimore të ofruar nga tregu politik shqiptar, si votuese për herë të parë natyrshëm më lind pyetja: Po unë për kë duhet të votoj?!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›