Minimalisht 5 deputetë më shumë
Damian Gjiknuri/Deputet i PS-së
-Koalicioni i ri, mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste, si dy forca kryesore të së majtës, së bashku me partitë e tjera që tanimë kanë deklaruar rreshtimin e tyre në krah të PS-së për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, padyshim që i jep opozitës avantazhe politike, por edhe konkrete, elektorale. Koalicioni ka avantazhe taktike të pamohueshme po të marrim në konsideratë sistemin elektoral që është në fuqi, pra atë proporcional rajonal. Edhe në parashikimin më konservator, bazuar në rezultatet e vitit 2009, në 5 qarqe të vendit koalicioni shtohet me një deputet. Në këtë parashikim konservator nuk po llogaris gërryerjen që pëson mazhoranca nga keqqeverisja dhe rrjedhja e votës së djathtë te faktorët e rinj opozitarë të djathtë. E kam fjalën sidomos për partinë Fryma e Re Demokratike. Në vetvete ky gjenerim lëvizjesh politike pritet të sjellë si efekt edhe atë që Partia Demokratike do të humbasë edhe më shumë mandate nga sa parashikova më sipër. Pra duke vlerësuar në përllogaritje vetëm efektin e drejtpërdrejtë të zgjerimit të koalicionit opozitar që drejtohet nga PS. E vështruar në një plan politik, koalicioni i ri opozitar pa diskutim që e bën tranzicionin dhe pensionimin politik të Sali Berishës një ngjarje të sigurt. Këtu janë shtruar disa pikëpyetje për mënyrën sesi do të përshtatet, nëse mund të themi kështu, koalicioni në një marrëveshje konkrete, funksionale për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Në këtë kuadër mund të them se ende nuk ka akoma një marrëveshje të detajuar, përfshirë edhe mundësinë e shumëdiskutuar të listave të përbashkëta. Ndonëse është e qartë për të gjithë se një koalicion taktik dhe juridik, natyrshëm që do parashikojë dhe formula të balancuara dhe përfaqësuese për të dhënë rezultatin me maksimal nga bashkëveprimi i të gjithë aktorëve që kompozon koalicionin opozitar. Pas kapërcimit të dilemës politike për zgjedhjet, që është zgjerimi i koalicionit, nisur edhe nga logjika e sistemit zgjedhor, mbetet problemi i administrimit të procesit elektoral. E thënë më thjeshtë i mënyrës sesi administrata zgjedhore do të veprojë për mbarëvajtjen e tyre. Ky është një problem i cili diskutohet shumë për shkak edhe të përvojës negative që Shqipëria ka në këtë drejtim, por edhe ne si opozitë veçanërisht. Zakonisht, lidhur me këtë çështje sillet në vëmendje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Aktualisht mund të them se bazuar edhe në Kodin Zgjedhor, KQZ-ja është një institucion i pavarur, me mandat të përcaktuar qartë në ligj dhe që nuk varet nga politika e ditës. Për më tepër, të gjithë faktorët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje të vazhdueshme që politika duhet t’i mbajë duart larg nga KQZ-ja dhe administrimi i zgjedhjeve në Shqipëri. Sidomos qeveria. Ata që kërkojnë ta trajtojnë dhe KQZ-në si komision politik, demonstrojnë qartë se nuk duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fakt ky ka qenë shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar gjatë gjithë kësaj kohe.