E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka dy frikëra, ka një të vërtetë

07-04-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Ajo për të cilën Serbia përpiqet të detyrojë edhe faktorin ndërkombëtar perëndimor është që, në çështjet e brendshme të Kosovës, e drejta e Beogradit të jetë e barabartë me të drejtën e Prishtinës. Ajo para të cilës Kosova nuk epet është  që të mos lejojë jetësimin e mendësisë kolonialiste serbe që, e drejta shtetformuese e Serbisë në Kosovë të jetë e barabartë me vet shtetin e Kosovës. Kjo vlen të jetë e qartë nga çdo shtet dhe politikan, sepse ndodh që, pas kaq vitesh nga lufta, thuhen deklarata që përfshijnë idera të barazimit të vrasësit me viktimën. Pas bisedimeve të dështuara, gjatë takimit të tetë të kryeministrit Ivica Daçiç dhe kryeministrit Hashim Thaçi, më 2 dhe 3 prill 2013, deklarata më e pasaktë ishte e ministrit të punëve të jashtme të Sllovakisë, ish-bashkëpunëtor i ngushtë në BE i Catherine Ashton, i cili tha: “Pala kosovare është e frikësuar që të mos krijohet një mekanizëm, i cili do të bllokonte funksionimin e Kosovës. Ndërkaq, pala serbe ka frikë që komuniteti serb të mos jetë i privuar nga të drejtat e tij”.
Nëse flasim për frikë apo droje apo ngurrim, kjo gjendet vetëm te njëra palë - Kosova. Gjithë historia e pasluftës dhe e paspavarësisë  është një vuajtje e pafundme e shtetit të ri nga politika e Beogradit, i cili lufton me të gjitha mjetet - përveç armëve - të transplantojë në shtetin e Kosovës kolonializmin e dikurshëm serb me fytyrë tjetër, i emërtuar me terma të kohës së paqes. Shqiptarët, që mundën të prekin lirinë, pavarësinë dhe shtetin e përbashkët me pakicat që jetojnë aty, e dinë si buka që hahet, siç thuhet në shqipe, se lejimi i dorës së zgjatur serbe në territorin e Kosovës, me bisedime dhe marrëveshje, do ta dështonte shtetin, do ta zhbënte pavarësinë, do t’i tjetërsonte sakrificat në asgjë.
Po, kjo është frikë, dhe është frika e viktimës, e cila nuk shfaqet nga ndijimet e së shkuarës, por ajo bëhet e rrokshme, kur sheh vrasësin që mëton të kthehet aty përsëri, përmes të drejtës që përpiqet ta fitojë me bisedime.
Nëse flasim për frikë të palës serbe, se ajo druaka që Kosova do t’ua privojë të drejtat pakicës së saj, kjo lloj frike është e paqenë në terren, e hamendësuar nëpër thënie dhe sajim politik serb i pastër, për t’i  barazuar të dy frikërat: një që vjen nga kanosja e re mbi të njëjtën viktimë dhe tjetra nga aktrimi i po atij vrasësi. Të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantuara pesëfish: e para, ato i siguron Plani Ahtisaari, të cilin Kosova e ka pranuar me kompromis shembullor dhe pa kushte; e dyta, ato i siguron shteti i Kosovës, pasi ai është i detyruar të veprojë sipas kushtetutës së vet,  në të cilën pakica serbe  zotëron të drejta shtetformuese, si në asnjë shtet tjetër ku ka pakica; e treta, ato i siguron vëmendja e  posaçme e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pjesë e lirisë së këtij vendi; e katërta, ato i siguron e drejta e Serbisë për t’u kujdesuar për pakicën e vet në Kosovë; dhe, më e fundit, gjatë bisedimeve shihet të ngjizet garancia e pestë, që është kompromisi i Prishtinës, me pranimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, zhvillim aspak i lehtë për palën shqiptare, e cila, edhe për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e interpreton si krejtësisht brenda Planit Ahtisari dhe Kushtetutës. Por, ajo për të cilën Serbia shkon deri aty sa, kryeministri Ivica Daçiç të deklarojë dëshpërimisht se, “Bashkësia ndërkombëtare është në anën e Prishtinës dhe ne kemi mbetur vetëm”, dhe  se në Perëndim Serbia nuk ka më asnjë mik, s’ka të bëjë me frikë për të drejtat e garantuara pesëfish, si në asnjë shtet tjetër të perëndimit, por Beogradi kërkon të ketë shtetin  e Bashkësisë së Komunave Autonome Serbe të Kosovës, me të drejta legjislative dhe ekzekutive. Lufta në Kosovë nuk u bë për të ndërtuar dy shtete në një territor të vogël, por për të pasur një shtet, vetëm Republikën e Kosovës. Ajo për të cilën  Kosova nuk duhet të dorëzohet kurrë është që, të mos lejojë ndarjen e territorit me shpikjet kolonialiste të Beogradit. Kosova, për çështjen e veriut dhe të komunave me shumicë serbe, e ka hedhur hapin, ashtu siç pati bërë në Rambuje të Francës duke e pranuar marrëveshjen. Beogradi atëherë nuk e firmosi marrëveshjen dhe pasoi lufta, siç po ata radikalë, tashmë të rikthyer në pushtet, përherë të dytë janë para dilemës në Bruksel, të pasojnë me hapin e radhës, që Serbinë e gremise në bllokimin e proceseve integruese për faj të saj. Brenda vetë Serbisë, ka krahë politikë që po e ngrenë zërin për dy çështje të mëdha: Beogradi të pranojë që në jug ka  fqinj shtetin e Kosovës dhe interesat e Serbisë të mos u lihen peng 100 000 mijë serbëve, që i kanë të gjitha të drejtat në shtetin e tyre të ri. Plani i ofruar Beogradit, të cilin zëvendëskryeministri Aleksandër Vuçiç e përcaktoi “shumë i keq për popullin serb”, dhe, sipas tij, kjo është “një situatë dramatike” për Serbinë, nuk është tjetërçka veçse, plani për ta varrosur projektin serb të ndarjes së Kosovës. Kjo është frikë serbe - frika për nënshkrimin e dështimit të shpalljes së  shtetit të serbëve të Kosovës  brenda vet shtetit të Kosovës.
S’ka dy frikëra, ka vetëm një të vërtetë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›