E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi:E majta e përçarë,humbet zgjedhjet

Kryetari i PS '91, Petro Koçi i ftuar në Ora News foli rreth situatës politike në vend duke hedhur idenë e bashkimit për të majtën, si të vetmen mënyrë për të fituar zgjedhjet. "Jemi të rrezikuar në zgjedhjet e ardhshme nëse nuk bashkohemi. PS-ë nuk mund ti fitojë zgjedhjet e vetme, slogani duhet të jetë që e majta i fiton zgjedhjet". Duke iu referuar 8-dhjetorit, ditës së rinisë dhe domethënies së saj që Shqipëria të jetë anëtare e denjë e BE-së, Koçi deklaroi se "Slogani i dëshirës për ndryshim në Shqipëri mbetet aktiv, pasi jemi mbrapa për hapat, por edhe në mënyrën si fuksionojnë institucionet jemi larg. Është një brez aktiv dhe idealist dhe mbetet në nivelin e aspiratave." Sipas tij shoqëria tashmë është bërë më pragmatiste, por edhe pse kjo ditë është dita e rinisë, përjetohet më shumë politikisht. Duket sikur është e djathta më e lidhur me këtë festë, ndaj duhet që e majta të jetë më aktive. "Lëvizja studentore bëri të mundur të jemi këtu, por kemi shumë për të bërë. Duhet të shohim mangësitë e skenës dhe procesit politik. Klasa politike në këtë ditë duhet të bëjë autokritikë.", tha ai. Duke iu referuar Ramës dhe fillimeve të tij në politikë, kreu i PS '91 deklaroi se "Nuk është normale që Rama ndërroi tre herë partinë, nga PD-ja, në një parti tjetër të tipit anarkist dhe sot është në krye të PS-së . Rama ka etje për pushtet qeverisës dhe nuk ka lidhje me idealin për një Shqipëri më të mirë." Sa i përket mos dekretimit të Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit ai tha se " Shpreh konsideratë për veprimin pozitiv të Presidentit të Republikës. Ndoshta është gjetur justifikim nga pikëpamja teknike, por reagimi i Topit është edhe politik. Ai ka dashur rë garantojë zgjedhje të lira në 2009-ën. Shansi më i madh për fitore është për të majtën është tani me ndryshimin e kodit.. Pra të rishikohet kodi që të garantohet gjithëpërfshirje.". Sipas Petro Koçit, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka vepruar mirë që i ka kërkuar bashkëpunim Ramës. 'PS'91 ka nxjerrë një deklaratë që tashmë Rama ka mundësi që të bashkojë të majtën. Mbetemi në këtë linjë dhe duhet të presim reagimin e Ramës, nëse kjo refuzohet e majta do hyjë e përçarë dhe kjo mund të rrezikojë zgjedhjet. Ndër të tjera Koçi foli edhe për figurën e Fatos Nanos brenda PS-së dhe heshtjes së tij pas zhvillimeve të fundit brenda së majtës. "Nano është personazh politik me shumë vlera për PS-në, e majta duhet të ishte e mençur dhe ta zgjidhte atë President të Republikës. Nano është fyer në këtë rast dhe heshtja e tij mund të vijë pikërisht nga kjo.", përfundoi kyetari i PS'91, Petro Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›