Godo: Poli i tretë apo i katërt, hamendësime
Kryetari i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, shprehet se polet alternative ndaj PD-së dhe PS-së nuk janë ende të qarta, duke lënë si mundësi interpretimi se deklaratat e deritanishme janë thjesht presione politike. Politikani Godo shprehet se nuk e sheh qartë polin e tretë apo të katërt, respektivisht nga e majta dhe e djathta. Në deklaratën e djeshme, Sabri Godo shtoi se ende nuk janë hapur tratativat për koalicionet, çka nënkupton se mjaft të pakënaqur mund të rikthehen në PD apo PS. “Unë nuk i shoh qartë këto katër pole. Flitet për to, por akoma nuk shoh të jetë shkruar ndërmjet palëve për ndonjë marrëveshje. Ne s’kemi punë me asnjë pol tjetër përveç një koalicioni me Partinë Demokratike. Se cilat parti të tjera do të jenë në këtë koalicion nuk do ta them sot, sepse ende nuk janë hapur tratativa bisedimesh”, - deklaroi Godo. Kryetari i Asamblesë së PR-së shtoi më tej se në kushtet e Kodit të ri Zgjedhor, ndarjet politike nuk janë tragjedi. Por, sipas tij, idealja do të ishte që e djathta të bashkohej në siglën e një koalicioni. Presidenti i nderit i PR-së mendon se formula për reduktimin e humbjes së votës është vetëm bashkimi, po që sipas tij, koalicionet qeverisëse mund të përcaktohen edhe pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe rëndësi që merr çdo forcë pas votimeve. “Mirë do të ishte që e djathta të dilte e bashkuar në zgjedhje. Nëse një grupim tjetër i djathtë merr vota gjithashtu për llogari të së djathtës, atëherë themi se ka fituar e djathta në zgjedhje. E njëjta gjë ngjet me socialistët dhe me LSI-në. Nëse ata veç e veç marrin shumicën e votave, u takon atyre të bëjnë qeverinë. Nuk e shoh këtë si ndonjë ngjarje shumë tronditëse”, - tha Godo. Shtyrja e Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës, duket se ka stepur si PD-në ashtu edhe PS-në, për të nisur bisedimet për koalicionet parazgjedhore. Megjithatë, para pak ditësh, Paskal Milo vendosi të dalë në zgjedhje nën koalicionin e PS-së. Partia Demokratike është ende në pritje të këtyre diskutimeve. Godo u shpreh se këto diskutime duhet të fillojnë sa më shpejt, në mënyrë që e djathta të jetë sa më e bashkuar para zgjedhjeve të vitit 2009. Njëkohësisht edhe mjaft parti të tjera të vogla të djathta kanë bërë thirrje për nisjen e negociatave. Kodi i ri Zgjedhor duket se ka nxitur të vegjlit për të kërkuar “shpëtim” politik tek PD-ja, por njëkohësisht edhe të vegjlit e majtë kanë kërkuar të njëjtën gjë tek PS-ja. Ajo që duket paraprakisht është fakti se e djathta do të jetë bashkë në zgjedhje, nisur edhe nga formula zgjedhore që përcakton Kodi i ri Zgjedhor. Koalicionet e përbëra mundësojnë që çdo parti të marrin votat e tyre përkatëse, por brenda një koalicioni, duke bërë të mundur që votat të mos humbasin.