Spahiu: Po përmbyllen ndryshimet brenda PLL-së pas sistemit të ri zgjedhor

Sistemi proporcional dhe Kodi i ri Zgjedhor për zgjedhjet e reja parlamentare 2009 dhe përshtatja e strukturave të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ishte në qendor të një takimi që Kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu zhvilloi në qytetin e Shijakut me strukturat drejtuese të këtij qyteti si dhe drejtues të degëve të PLL Durrës dhe Krujë, pjesë përbërëse të rajonit elektoral të qarkut të Durrësit.Sipas Spahiut, "Sistemi proporcional rajonal dhe Kodi i ri zgjedhor ka shtruar para strukturave lokale nevojën e përshtatjes dhe koordinimit të tyre në nivel qarku". Këtë punë PLL e ka filluar prej kohësh dhe që tani është në fazën përmbyllëse. "PLL synon që përmes këtij procesi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 të gjitha degët e PLL që ndodhen brenda një qarku të funksionojnë në mënyrë të unifikuar për përzgjedhjen e kandidatëve, zhvillimin e fushatës dhe materializimin e rezultatit zgjedhor", tha Spahiu.Duke u ndalur në faktin se PLL është edhe një parti nacionaliste, antikomuniste, mbrojtëse fanatike e vlerave të familjes, pronës, kulturës dhe qytetërimit, Spahiu kërkoi prej strukturave lokale që të punonin më shumë për shpalosjen e këtyre vlerave dhe të tregoheshin të hapur për çdo kontribues të tyre.Në vazhdim të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjatë muajit dhjetor PLL do të mbledhë edhe dy nga strukturat e saj qendrore, Komitetin Drejtues dhe Këshillin Kombëtar, në të cilat pritet që të merren vendime të rëndësishme.