E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi:Qeveria po fsheh shifrat ekonomike

Partia Socialiste ka denoncuar sot atë që ajo e cilëson mungesë të transparencës së qeverisë Berisha dhe Ministrit të tij të Financave me shifrat e ekonomisë. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Ervin Koçi ka theksuar se ministria e financave po deklaron nivele të ardhurash e sukses, pa u publikuar as edhe një tabelë apo pasqyrë të mënyrës së mbledhjes së këtyre të ardhurave.
"Në këto momente të vështira për të gjitha familjet shqiptare, si pasojë e krizës në të cilën vendi është zhytur nga politikat e papërgjegjshme elektorale të Kryeministrit dhe Ministrit të Financave, inflacioni i institucioneve shtetërore me shifrat e ekonomisë, pa baza e pa burime të besueshme është thuajse kriminal. Nëse qeveria ka sot të dhëna të besueshme mbi atë që ajo quan "mrekulli ekonomike", por që për të gjithë shqiptarët përkthehet në krizë, atëherë ti publikojë ato dhe tu japë mundësinë ekspertëve të gjykojnë mbi gjendjen aktuale te ekonomisë" theksoi Koçi.
Sipas tij nga deklaratat e organeve shtetërore duket se sot nuk është në krizë vetëm ekonomia, por i gjithi ky model qeverisje,i cili pasuron ata që janë klientët e oborrit të pushtetit në kurriz të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, si atyre që jetojnë në Shqipëri, po ashtu edhe atyre që i kanë besuar kursimet e tyre sistemit bankar të këtij vendi.
"Nëse kjo gjendje ekonomike do të ishte në ato nivele që pretendon qeveria, çfarë nevoje do të kishte për të marrë borxh? Nëse financat publike do të ishin të shëndetshme, atëherë përse nuk ka besueshmëri në tregun ndërkombëtar, por kjo qeveri detyrohet të kërkojë hua të brendshme, në vend që ti lejojë këto fonde të shkojnë tek biznesi e individët shqiptarë të cilëve ju përkasin. çdo biznes shqiptar është shumë më i aftë të menaxhojë fonde sesa qeveria, e cila po i thith këto për të mbuluar gropën e babëzisë së pushtetit" theksoi Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›