E Diel, 1 Nëntor 2026

Kocijançiç: Zgjedhjet, fokusi kryesor i takimit Thaçi-Daçiç

PRISHTINË- Fokusi kryesor i takimit të së dielës mes kryeministrave kosovar e serb, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, do të jenë sërish zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. 

Këtë ju ka thënë gazetarëve në Bruksel, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e ndërmjetësueses së këtij dialogu, Catherine Ashton.
"Ashtu siç e kemi paralajmëruar, zonja Ashton të dielën do t’i takojë kryeministrat Thaçi dhe Daçiç për të 16-ën herë. Ata do ta vazhdojnë dialogun që është mbajtur në fund të muajit të tetë, që do të thotë se në atë takim do të diskutohet implementimi i marrëveshjes së prillit e fokusi kryesor do të jetë përgatitja e zgjedhjeve”, ka thënë Kocijançiç, e cituar sot nga Radio Evropa e Lirë.

Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme megjithatë ka thënë se zgjedhjet nuk do të jenë e vetmja temë që do të diskutohet, ndërsa nuk ka mundur të japë asnjë detaj ku kanë ngecur punët rreth telekomit dhe energjisë.

“Nuk është në pyetje se çfarë ka mbetur, por për atë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura mirë dhe në këtë kontekst ata do të diskutojnë për atë që është e rëndësishme për përgatitjen e zgjedhjeve. Unë ju thashë që zgjedhjet nuk janë e vetmja temë, ata do të flasin për implementimin e marrëveshjes së prillit dhe ju e dini që ai implementim është në proces e sipër”, ka thënë në fund Kocijançiç.
Të dielën do të mbahet takimi i radhës, i raundit të 16-të, në mes të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi sot paradite në mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se, "qëllimi i këtij takimi është që të përmbyllet marrëveshja për telekomin dhe energjinë".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›