E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e fëmijëve

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi sot rëndësinë e garantimit të sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve, duke u bërë thirrje aktorëve politikë që të mos i përfshijnë të miturit në akte dhune apo në përplasje politike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se, “pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur”.

Zëvendëskryeministrja nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehin mendimet e tyre dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë, por kjo e drejtë nuk duhet të shoqërohet me përfshirjen e tyre në akte dhune.

“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike”, theksoi Koçiu.

Ajo iu drejtua gjithashtu prindërve, duke vënë në dukje se shqetësimi i tyre kryesor është siguria e fëmijëve.

“Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi”, u shpreh ajo.

Koçiu theksoi se mbrojtja e jetës dhe sigurisë së të miturve duhet të jetë mbi çdo interes politik.

“Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, përfundoi zëvendëskryeministrja.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›