E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Koçiu: Mbi 46 mijë depistime për shikimin te fëmijët në shkolla që prej nisjes së programit kombëtar

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Mbi 46 mijë fëmijë kanë përfituar nga programi kombëtar i depistimit të shikimit në shkolla. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndau sot shifrat e rezultateve, pas integrimit të këtij programi në shkollat e vendit, duke evidentuar se 5258 nxënës janë referuar për vizitë tek mjeku specialist për ndjekjen e problematikave të shfaqura.

“Nga shtatori 2024 deri në janar 2025, janë kryer 46,076 depistime në shkolla, duke mundësuar identifikimin dhe adresimin në kohë të problematikave shëndetësore. 5258 nxënës janë referuar te specialistët për kujdes të mëtejshëm, në 962 shkolla deri tani”, thotë Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se falë këtij programi do të vazhdohet me përkushtim për një sistem shëndetësor që ofron kujdes të hershëm dhe cilësor për fëmijët.

Qeveria miratoi në prill të 2022-shit Programin Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, një program që garanton kujdesin në shikimit për fëmijët, që tek të porsalindurit, deri tek fëmijët në moshën 14-vjeçare.

Përmes këtij programi sigurohet vlerësimi okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.

Nëpërmjet këtij programi synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.

Ky program ka fokus parandalimin dhe edukimin duke ofruar shërbime të reja socio-shëndetësore në strukturat e arsimit. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›