Koçiu: Trefishuam buxhetin për shëndetësinë, rehabilitim të 107 qendrave shëndetësore

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri me dije sot se prej vitit 2013, buxheti për shëndetësinë në vend është trefishuar duke shkuar nga 250 milionë euro, në 760 milionë euro për vitin 2025.
Ministrja Koçiu u shpreh në një postim në rrjetet sociale, se ky buxhet do të orientohet drejt investimeve më të shumta për spitale, qendra shëndetësore, personel dhe shërbim më cilësor për qytetarët.
“Buxheti 2025 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është 103 miliardë e 375 milionë lekë, pra 12,57% e buxhetit të shtetit ose 3,94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shkon për Ministrinë e Shëndetësisë″, është shprehur më herët Koçiu, ndërsa ka theksuar faktin se totali i buxhetit vetëm për shëndetësinë llogaritet rreth 9,1% e shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit të shtetit.
“Ky buxhet do të vazhdojë të mbështesë programin trevjeçar për rehabilitim të plotë të 107 qendrave shëndetësore të reja në të gjithë vendin për periudhën 2025-2027. Shërbimi në kujdesin dytësor, do të mbështesë 317 mijë pacientë në pesë spitalet terciare dhe 12 rajonalet dhe 27 spitalet bashkiake. Do të mbështesim trajtimin me dializë për qytetarët që kanë nevojë për të, do të financojmë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me 10 mijë përfitues në QSUT, “Shefqet Ndroqi” dhe dy spitale rajonale. Do të mbështesim zgjerimin e paketës së veshkës, kataraktit, radioterapinë dhe shumë shërbime të tjera. Dua të nënvizoj mbështetjen në 2025 për paketën e fertilitetit që shkon direkt në dobi të çifteve të reja si mbështetje për 150 familje të reja. Sa i takon shëndetit publik, përforcojmë fushatat e depistimit për dy tumoret, atë të gjirit dhe atë të qafës së mitrës. Synohet të realizohet vaksinimi për 190 fëmijë sipas kalendarit, për gripin sezonal për 250 mijë persona”, shtoi ajo.

/r.e/a.f/