Koçiu: Tronditës lajmi për aksidentin tragjik në autostradën Tiranë-Durrës

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu shprehu sot ngushëllime për viktimën e aksidentit tragjik të ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës që humbi jetën në aksident, si dhe solidaritet me të lënduarit.
Ajo u uroi të lënduarve shërim të shpejtë dhe rikthim pranë familjeve të tyre, duke shprehur shpresën që ata ta kalojnë sa më parë këtë situatë të vështirë.
“Tronditës lajmi për aksidentin tragjik në autostradën Tiranë-Durrës. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave për këtë humbje të madhe. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë, me shpresën që ta kalojnë sa më parë këtë sfidë të vështirë dhe të rikthehen shëndoshë e mirë pranë më të dashurve të tyre”, shkroi Koçiu.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen 12 persona të lënduar, prej të cilëve 7 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes tyre janë edhe një fëmijë dhe një i mitur.
Sipas njoftimit zyrtar, një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete.
Aksidenti ndodhi mesditën e së martës në autostradën Tiranë–Durrës, kur një minibus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe u përmbys.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e Policisë së Shtetit, zjarrfikësit dhe autoambulancat, të cilat kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë bërë nxjerrjen e pasagjerëve nga mjeti.
/gj.m/r.e/