E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset minibusi në autostradën Tiranë-Durrës, një i vdekur dhe 12 persona të plagosur

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Një aksident ndodhi këtë të martë në autostradën Tiranë-Durrës, ku një minibus me pasagjerë i linjës së Beratit ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ekipet e zjarrfikëses dhe autoambulancat, të cilat po punojnë për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve dhe për nxjerrjen e pasagjerëve nga minibusi.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, deklaroi sot nga vendi i aksidentit se paraprakisht janë konfirmuar dy viktima dhe 15 persona të plagosur, pas daljes nga rruga të autobusit të linjës Berat–Tiranë.

Vatoci bëri të ditur se rreth orës 15:00 Policia mori njoftim për aksidentin e rëndë.

“Sot, rreth orës 15:00, është marrë njoftim për një ngjarje shumë të rëndë rrugore, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë dhe anasjelltas ka dalë nga rruga në vendin ku ndodhemi. Për arsye ende të paqarta deri në këto momente, paraprakisht konfirmohet se mjeti nuk ka pasur kontakt me ndonjë automjet tjetër, por rezulton se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me trafikndarësen”, tha ai.

Sipas Vatocit, si pasojë e aksidentit janë konfirmuar dy viktima dhe 15 të plagosur.

“Njëri prej të dëmtuarve është në gjendje më të rëndë, ndërsa personat e tjerë janë në gjendje të stabilizuar dhe situata po ndiqet në vijimësi”, u shpreh ai.

Drejtori i Policisë Rrugore shtoi se mes të plagosurve ndodhet edhe një fëmijë, i cili është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Ai theksoi se dyshimet paraprake janë se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi mjetin, pasi deri tani nuk rezulton të ketë pasur përplasje me automjete të tjera.

“Shkaqet e plota do të jenë objekt i veprimeve të mëtejshme hetimore”, tha Vatoci, duke shtuar se ende nuk ka informacion mbi gjendjen e drejtuesit të autobusit.

Në përfundim, ai u bëri apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë së Shtetit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

Drejtoria e Policisë Vendore Tiranë ka përditësuar informacionin dhe ka saktësuar të dhënat për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Njoftimi i plotë i DVP Tiranë

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

/gj.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›