E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Thellësisht i tronditur nga aksidenti fatal në aksin rrugor Kashar-Tiranë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar pas aksidentit të ndodhur sot në aksin rrugor Kashar–Tiranë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga, dhe është përmbysur.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari shprehu tronditjen e tij për ngjarjen dhe konfirmoi se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, ndërsa 13 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Ai i përcolli ngushëllimet më të ndjera familjes Hasimi për humbjen e të afërmit të tyre dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Ministri theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Lamallari u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke i cilësuar ato si garancia më e rëndësishme për sigurinë e jetës në rrugë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›