Kocka që pret Edi Rama nga zgjedhja e presidentit të ri

Edi Rama i është futur edhe publikisht fazës së lypjes politike. Ai ka nevojë për certifikim si një lojtar i rëndësishëm i saj, prandaj edhe të gjithë skrupujt moralë i ka nulifikuar. Takimi me kundërshtarin e LSI-së është ekzaktësisht si fillimi i një procesi dekompozimi moral, si shpresa e vetme që ai të merret në konsideratë si një politikan profesionist
“Kur tre presidentët, Meidani, Moisiu e Topi nuk përfaqësuan unitet por u rreshtuan vetëm me një krah, ti (Edi Rama) nuk u kërkove atyre të zbatonin Kushtetutën për unitet dhe asnjanësi”. Kështu shprehej dje midis të tjerave në një koment të shkurtër në faqen e internetit të gazetës “55”, Arbri, një lexues i saj. Me kaq Arbri i ka thënë të gjitha… Por çfarë mendon, thotë dhe si vepron sot Edi Rama…?! Sigurisht gjëra shumë të ndryshme…
* * *
Sa për kujtesë... Rreth pesë vjet më parë, kur duhej të zëvendësohej Alfred Moisiu, Edi Ramës nuk ia ndjente fare, po fare aman, jo për “emrin” e zëvendësuesit, por as për “procesin” e zëvendësimit. I vetëmashtruar se me “politikat e bllokimit” 84 votat e munguara të mazhorancës do t’ia bënin të pamundur punësimin e Bamir Topit si zëvendësues i Alfred Moisiut, Edi Rama “bënte pallë” dhe vetëm për “emra” e “proces” nuk fliste. Ngjarjet rrodhën si rrodhën dhe dalja nga kontrolli e disa deputetëve socialistë (sot ndonjëri prej tyre i ricikluar, e të tjerët të ndëshkuar) ia prishën planin e “politikës së bllokimit”... Por sikurse vazhduan të rrjedhin ngjarjet, nuk e zhgënjyen Edi Ramën, jo thjesht dhe vetëm për votën që Bamir Topi i dha atij, dy ditë më shumë, se një vit më parë... Por edhe koha rrjedh shpejt... Mbaroi “5 vjeçari” i Bamir Topit, i cili nisi me “pishmanllëk” për Edi Ramën dhe përfundoi me, të themi, tip “honey moon”. Ky “5 vjeçar”, përpos Bamir Topit, konsumoi edhe Edi Ramën... Saktësisht konsumoi të gjitha mundësitë e aksionet “politik-bllokuese”, që mund “të pjellë” mendja më djallëzore. Në përfundim të këtij “5 vjeçari” Edi Rama gjendet në ekstremin tjetër të kapadaiut i cili me 84 votat e munguara të mazhorancës tentoi të mbante peng punësimin e Bamir Topit si zëvendësues të Alfred Moisiut. Ekstremi tjetër në të cilin gjendet ditët e fundit Edi Rama, është ai i vetëvendosjes publike në fazën e lypjes politike.
* * *
Pas dështimesh të njëpasnjëshme me aksione “poltik-bllokuese” apo edhe në ballafaqimet elektorale, ai ndjen se ka nevojë për certifikim si një lojtar i rëndësishëm i saj, për të mos thënë “ka nevojë për një kockë”. Por, që të ndjehet dhe të ketë nevojë për tu certifikuar si një lojtar i rëndësishëm, për të mos thënë se “ka nevojë për një kockë”, duhet me patjetër të ketë “shokë” apo “të ulet” me lojtarë të rëndësishëm. Dhe kur ai (Edi Rama) kuptoi se Ervin Mete apo Kurt Kola nuk ishin “shokë” me të cilët “të ulej” e të ndjehej si i rëndësishëm, për të mos thënë se mund “ti hidhnin ndonjë kockë”, zgjodhi të nulifikojë të gjithë skrupujt moralë..., jo vetëm duke folur për “proces” pa “emra” për presidentin..., por duke pranuar të ulej me kundërshtarin, me shpresën “e përfitimit të ndonjë kocke”..., në kushtet e vetënxjerrjes në ankandin e “politik-lypjes”. Emblematik në këto ditë të fundit mbetet takimi me kundërshtarin e LSI-së. Por ky takim për Edi Ramën, i cili me sa duket “e ka ngrënë turpin me bukë”, është vetëm fillimi i një procesi dekompozimi moral, si shpresa e vetme që ai të merret në konsideratë si një politikan profesionist. Me këtë shpresë të vetme, ai nuk e kishte për gjë të pranonte që të “hante edhe ngjalën e freskët” në Gjirin e Lalzit, aq sa mund të konsiderohet “e freskët” një “ngjalë” e premtuar dhe e rezervuar prej të paktën një viti e gjysmë për Edi Ramën, nga kundërshtari i LSI-së...
...