E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Integrimi në BE, proces i bazuar në meritë – s’do përsërisim gabimet e Bullgarisë

10-05-2012 / Gazeta 55

Ministrja e integrimit Majlinda Bregu priti në takim një delegacion bullgar të kryesuar nga kryetarja e parlamentit të Bullgarisë znj. Tsetska Tsacheva. Ministrja Bregu e njohu znj. Tsetska Tsacheva me zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë me ecurinë e deritanishme të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Jemi të kënaqur që me rivendosjen e dialogut politik dhe përmirësimin e klimës politike në vend, po nxjerrim më shumë në pah progresin e arritur në një sërë reformash të rëndësishme”- u shpreh ministrja Bregu.
Duke folur për vështirësitë që Bullgaria ka hasur dhe po has në rrugën drejt Bashkimit Europian, edhe pse prej 5 vjetësh është anëtare e BE-së, znj. Tsacheva i ofroi ministres Bregu në emër të shtetit bullgar të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe ndarjen e eksperiencës së deritanishme, në mënyrë që Shqipëria të evitojë gabimet që ka bërë Bullgaria në rrugën drejt Europës. Reforma në administratë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit ishin reformat kryesore që znj. Tsetska Tsacheva përmendi si më të vështirat dhe më thelbësoret dhe që vazhdojnë ta ndjekin Bullgarinë edhe pas 5 vjetësh anëtarësim.  “Rruga drejt Europës është e vështirë, integrimi nuk përfundon me nënshkrimin e marrëveshjes për anëtarësim, ai është një proces që ka të bëjë me ndryshimin e mentalitetit të njerëzve”, tha më tej znj Tsetska Tsacheva, duke siguruar ministren Bregu se Shqipëria do të ketë miratimin e padiskutueshëm të Bullgarisë në rast se Brukseli do të japë mendim pozitiv në tetor.
Znj. Bregu dhe znj. Tsacheva ndanë të njëjtin mendim përsa i përket faktit se integrimi dhe rregullat europiane janë e vetmja mënyrë për të lënë pas krahëve pakënaqësitë e së kaluarës në rajonin e Ballkanit.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›