E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Policia të zbatojë ligjin

Zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli, tha se komisionerët e Partisë Socialiste kanë kapur dy persona të cilët kanë tentuar të votojnë me karta identiteti false në qendrën e votimit 1718.

“Këta dy persona janë paraqitur si vëllezër, pjesëtarë të familjes Lloçi, por komisionerët e Partisë Socialiste kanë zbuluar menjëherë se kartat e tyre të identitetit ishin të falsifikuara. Për këtë rast është bërë edhe kallëzimi penal ndaj dy personave të mësipërm”, sqaroi ajo. Kodheli u bëri thirrje të gjithë atyre individëve që tentojnë të votojnë me dokumente të falsifikuara që të heqin dorë nga këto përpjekje.

“Komisionerët e Partisë Socialiste janë trajnuar posaçërisht për identifikimin e këtyre dokumenteve. Ligji shqiptar njeh dënime shumë të rënda për përpjekje të kësaj natyre, me plot 5 vjet burg dhe i garantojmë gjithkujt që provon të votojë me identitet të rremë se Partia Socialiste është e vendosur që ata të vuajnë ndëshkimin që parashikon ligji”, shtoi më tej. Zëdhënësja e PS-së, kërkoi nga komisionerët dhe vëzhguesit që të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë ligjin.

Sipas saj, këtë duhet ta bëjë edhe Policia e Shtetit që në më shumë se një rast ka lënë deri tani për të dëshiruar. “Presim nga kjo polici lajmin për ndalimin e atyre që goditën gazetarin e Top Channel-it dhe paralajmërojmë çdo individ që ka prirjen të shkelë ligjin se nuk do të ketë harresë e as tolerancë për këdo që cenon sadopak këto zgjedhje. Ne jemi në kontroll të plotë të territorit të vendit dhe nëse policia se di akoma emrin e dhunuesit të gazetarit po japim ne: Agim Tocilla”, shtoi më tej. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-05-08 14:32
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›