Kapllani: Arsyet pse Shqipëria hyri në Konferencën Islamike

Nga 2 korriku 1990, me ngjarjet e ambasadave e deri te vizita e sekretarit amerikan të Shtetit apo ftesa për anëtarësim në Organizatën e Konferencës Islamike, një tërësi ngjarjesh dhe një dinamikë zhvillimesh vijnë në këtë intervistë në dëshminë e ish- ministrit të Jashtëm, Muhamet Kapllani. Një diplomat i njohur i Shqipërisë, ai jep këtu jo vetëm dëshminë e njeriut që ka përjetuar disa ngjarje me shumë rëndësi për vendin tonë, por edhe disa prej arsyeve që çuan në vendime të caktuara të Tiranës zyrtare. Kjo pasi në krye të diplomacisë shqiptare, Kapllani ka pasur protagonizmin e vet, të cilin e shtjellon këtu, duke ofruar një kënd të ri vështrimi për periudhën historike ‘90-‘91.
Z. Kapllani, ditët e fundit ka pasur shumë reagime dhe analiza për ngjarjet e 2 korrikut 1990. Me interes do të ishte të na sillni përjetimin tuaj dhe komunikimin diplomatik mes Shqipërisë dhe kancelarive të huaja lidhur me këto zhvillime.
Ditën që ka nisur hyrja e qytetarëve tanë në ambasadat e huaja në Tiranë, unë po kthehesha nga një vizitë zyrtare në Zvicër, ku kisha pasur takime dhe bisedime interesante dhe me vlerë me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme zvicerane. Thelbi i atyre bisedimeve prekte edhe shqetësimin e kancelarive europiane për qëndrimet e ngurta dhe refraktare të shtetit shqiptar lidhur me çështje të zhvillimeve politike e veçanërisht për ato që kishin të bënin me të drejtat e njeriut. Vlen të përmendet këtu se Ministria e Jashtme e veçanërisht, sektorët që trajtonin Organizatat Ndërkombëtare, që unë i mbuloja si zv.ministër përkatës, kishin një qasje më objektive dhe më fleksibël për këto probleme krahasuar me sektorë të tjerë të asaj ministrie e sidomos në raport me qëndrimet zyrtare shtetërore. Me këtë nuk dua të them se ne ecnim kundër rrymës; thjesht përpiqeshim brenda mundësive për të sjellë një optikë më realiste, jo bardhezi në vështrimin e gjërave, për t'iu afruar frymës europiane duke lënë të kuptohet qartë se duhet të mos mbetemi në bisht të zhvillimeve europiane, sidomos pas shembjes së Murit të Berlinit dhe shkrirjes së akujve të Luftës së Ftohtë. Pra ky ishte, në një farë kuptimi, konteksti kur ndodhën ngjarjet e ambasadave. Ne si Ministri e Jashtme dhe më konkretisht unë si zv.ministër përkatës u vumë në kontakt të menjëhershëm me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila nga ana e saj tregoi një vëmendje të veçantë për këtë zhvillim të ri në Tiranë. OKB-ja shihte në ngjarjen e ambasadave një kazus për një krizë politike të paparashikuar, e aftë të prodhonte edhe një krizë humanitare duke parë numrin e madh të qytetarëve të futur në ambasada, sidomos në atë gjermane. Në Tiranë erdhi menjëherë i dërguari i posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefano De Mistura, me të cilin unë dhe bashkëpunëtorët e mi kam zhvilluar disa raunde bisedimesh e konsultimesh. Qëllimi i përpjekjeve tona, veçanërisht si Ministri e Jashtme ishte për ta bërë me sa më pak dhimbje dhe në mënyrën më njerëzore zgjidhjen e kësaj krize. Z. De Mistura shkoi vetë disa herë brenda ambasadave i shoqëruar në ndonjë rast edhe nga njerëz të MPJ. Ai mori kontakt si me qytetarët shqiptarë edhe me zyrtarë të ambasadave të huaja. Një moment i rëndësishëm që u trajtua me ndërkombëtarët, nga të cilët më në fund patëm mirëkuptim, ishte këmbëngulja e jonë që qytetarët shqiptarë të pajiseshin me pasaporta të shtetit të vet para se ata të largoheshin nga Shqipëria. Ky moment për ne ishte tepër i rëndësishëm, sepse dëshmonte që, pavarësisht si ndodhi kriza, shtetit të vet nuk i lejohej t'i linte njerëzit në mes të rrugës si jetimë e pa identitet ligjor dhe kombëtar. Koha që ka rrjedhur që nga ato 20 vjet të largët ka provuar vlerën dhe drejtësinë e këtij veprimi. Individit, qytetarit të veçantë edhe mund t'i falen gabime e lajthitje emocionale të çastit, por asnjë herë shtetit, të cilit i takon të udhëhiqet nga e drejta dhe logjika e ftohtë e ligjit.
Duke parë tani pas 20 vjetësh mbrapa në ato ngjarje, a mendoni se 2 korriku ishte në të vërtetë akti i parë i transformimit politik të Shqipërisë?
Nuk ka dyshim se ngjarjet e 2 korrikut 1990 mbartin simbolikën dhe domethënien e tyre, veçanërisht kur i vështrojmë sot në retrospektivë. Duke kapërcyer muret e ambasadave shqiptarët shembën murin e frikës, siç bënë gjermanët një vit më parë me Murin e Berlinit. Në këtë mënyrë ata vranë frikën, e cila i kishte mbajtur të mbyllur e të izoluar për dekada nga Europa dhe bota e lirë. Ata i treguan regjimit të kohës se e kishte më kot që donte të mbante në këmbë "gardhin" e kalbur shqiptar. Në një kohë kur kishte rënë Muri i Berlinit dhe në Europë e në botë po ngjizeshin ndryshime epokale. Shqiptarët, sado paksa të vonuar, po dëshmonin se nuk mund të mbeteshin jashtë Europës e proceseve historike të kohës.
Ju asokohe keni qenë prezent edhe në vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Xheims Beiker, në Tiranë, e cila pati një pritje madhështore. Si u realizua kjo vizitë dhe cili ishte mesazhi i vërtetë i saj? Si e priti ekipi drejtues i kohës entuziazmin e treguar në pritjen e përfaqësuesit të një shteti që ishte pjesë qendrore e propagandës armiqësore?
Vizita e sekretarit të Shtetit, Xheims Beiker, në Tiranë, në qershor 1991, shënon një moment historik në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi dhe një pikë kthese të këtyre marrëdhënieve pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë. Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe SHBA-së - që unë pata nderin dhe privilegjin të firmos në Uashington si ministër i Jashtëm i vendit tim - unë u takova me sekretarin e Shtetit, Beiker, në Berlin në ceremoninë solemne të pranimit të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në KSBE (sot OSBE). Edhe sot nuk mund të mos përjetoj emocionet e fuqishme të kësaj ngjarjeje, që më në fund e rendiste dhe e bënte Shqipërinë pjesë të proceseve transformuese europiane.(Shënoj se delegacionit qeveritar që unë kryesoja iu bashkëngjitën në Berlin edhe udhëheqësit e pesë partive politike kryesore të kohës, ku peshën e vërtetë e përfaqësonin PD e PS, Berisha dhe Nano. Për këtë detaj domethënës që ilustronte funksionimin e pluralizmit në Shqipëri kishim rënë dakord më parë me ministrin e Jashtëm gjerman, Gensher, i cili kryesonte këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar) Në takimin e Berlinit ndjeva nga afër ngrohtësinë dhe përgëzimet e delegacionit amerikan dhe të sekretarit Beiker, të cilët ndiheshin po kaq të gëzuar që Shqipëria po pranohej si anëtare me të drejta të plota në KSBE, një organizatë e rëndësishme kjo në arkitekturën e re të sigurisë së Europës postkomuniste ku vazhdonte të funksiononte Aleanca Veriatlantike(NATO), ndërsa Traktati i Varshavës ishte shpërbërë. Me sekretarin e Shtetit, Beiker, u takuam në më se një rast gjatë konferencës dhe eventeve shoqëruese duke ndërtuar një raport shumë të ngrohtë e miqësor, që unë e shihja si shprehje e sentimenteve tepër të sinqerta të Amerikës së madhe demokratike për Shqipërinë e vogël dhe popullin e saj që u kishin mbijetuar dallgëve të egra të historisë me një vitalitet të pashembullt. Gjatë këtyre takimeve në Berlin me sekretarin Beiker nuk mund të mos i shprehja atij dëshirën tonë të madhe që ai të vizitonte Shqipërinë çka do të përbënte një frymëzim dhe shtytje të veçantë për rrugën demokratike të Shqipërisë. Në ato momente lexoja në sytë e tij dëshirën e sinqertë për t'iu përgjigjur kësaj ftese verbale. Ramë dakord për ta ndjekur në kryeqytetet respektive dhe për ta materializuar sa më parë këtë vizitë në Tiranë. Dhe sikurse është e njohur, në më pak se një muaj, sekretari i Shtetit, Beiker Zbriti, në Rinas për vizitën e tij historike. Bashkë me të zbritën në sheshin “Skënderbej” qindra mijë qytetarë të Tiranës e të mbarë Shqipërisë në një demonstrim të paparë të vendosmërisë së shqiptarëve për të lënë pas të kaluarën e hidhur komuniste duke parë tek Amerika bastionin e madh e më të fuqishëm të lirisë e demokracisë në botë. Sekretari Beiker mbeti shumë i prekur dhe i emocionuar nga pritja në Tiranë çka do ta theksonte në më se një rast në Tiranë dhe më pas në Amerikë. Në letrën që më dërgonte nga Amerika pas kësaj vizite më 12 korrik 1991, sekretari Beiker theksonte: "Sikurse ju kisha vënë në dukje në Berlin e po ashtu në Tiranë, populli amerikan ndihet i ngazëllyer nga ndryshimet që sheh në Shqipëri këta muajt e fundit. Ne qëndrojmë të vendosur pranë vendit tuaj në rrugën e tij përpara drejt objektivit të një shoqërie të lirë e demokratike".
Nuk mund të lë pa përmendur se, që nga ajo kohë, raporti i ngrohtë i krijuar me sekretarin Beiker, më pas, përmes njohjeve e miqve të përbashkët u ruajt duke mbartur sentimentet e sinqerta të dy popujve tanë për njeri-tjetrin. Dëshmi e kësaj është edhe një letër që sekretari Beiker më dërgon në përgjigje të një letrës sime, më 16 tetor 2003. Në letrën e mësipërme, pasi vlerëson në terma të ngrohtë vendimin për t'i shërbyer vendit tim në stafin e Presidentit Moisiu, sekretari Beiker nuk harron edhe një herë të kujtojë atë qershor të vitit '91 në Tiranë, "kur makinën tonë nga aeroporti për në qytet e preknin bile e puthnin njerëzit duke brohoritur: USA-USA!”. “Nuk jam ndier asnjëherë më parë aq i privilegjuar duke përfaqësuar vendin tim si atë ditë duke thënë: ‘Në emër të Presidentit Bush dhe të popullit amerikan jam këtu për t'ju thënë se "Liria Funksionon!"
Duke pasur parasysh njohjen tuaj për diplomacinë, por edhe për ngjarjet e asaj kohe, gjykoni se Europa dhe SHBA kanë rolin kryesor në Integrimin e Shqipërisë, apo klasa e saj politike që e udhëhoqi këtë proces? A është Shqipëria tanimë në rrugën familjes europiane apo ka ende punë për të mbërritur tek ato vlera që përfaqësojnë qytetërimin perëndimor?
Natyrisht që klasa politike shqiptare, veçanërisht mazhoranca drejtuese e radhës, po ashtu edhe opozita kanë një rol të padiskutueshëm në ecurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve integruese të vendit. Nëse Shqipëria po e veçon veten në mënyrë të pakënaqshme me këtë tranzicion të tejzgjatur dhe me këtë vonesë në hapat integrues drejt BE, kjo është në radhë të parë pasojë dhe kosto që vendi dhe populli merr për shkak të klasës politike, e cila prodhon një konfliktualitet politik të pajustifikuar që ka shkaktuar edhe kriza që nuk kanë asgjë të përbashkët me një vend që do të ndërtojë një demokraci funksionale dhe ka zgjedhur të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. SHBA, si aleati i ynë i madh strategjik nuk ka reshtur së ndihmuari Shqipërinë në rrugën drejt progresit euroatlantik (Le të mos harrojmë anëtarësimin tonë në NATO!) Po ashtu Europa dhe BE po punojnë prej gati dy dekadash për afrimin real të Shqipërisë me standardet europiane; që edhe Shqipëria të mos e "humbasë" trenin e historisë. Por le të vijmë tani te thelbi i pyetjes suaj të fundit. Të tjerët, qofshin këto SHBA apo BE nuk mund të bëjnë atë që duhet ta bëjnë vetë shqiptarët për veten e tyre. Kjo ka lidhje edhe me atë se çfarë elite politike prodhojnë e zgjedhin shqiptarët që t'i drejtojnë.
Për të mbetur tek Integrimi që perceptohet edhe si një reshtim politik ndërkombëtar, pse u anëtarësua Shqipëria edhe në Konferencën Islamike dhe kush e hodhi këtë ide?
Lidhur me pjesëmarrjen e vendit tonë në Konferencën Islamike vlen të vë në dukje se vende arabe dhe afrikane me ndonjë rast kishin sugjeruar që Shqipëria të mund të ishte pjese e Organizatës së Konferencës Islamike. Në Sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në shtator '91, mua më kërkoi takim zyrtar me cilësinë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në qeverinë e Stabilitetit Kombëtar, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Islamike. Në këtë takim ai shprehu habinë për të mos thënë pakënaqësinë që Shqipëria mbante një qëndrim të ftohtë ndaj OKI(Konferenca Islamike) dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të saj, qoftë edhe si e ftuar. Unë i shpjegova zyrtarit të lartë islamik se Shqipëria ushqente ndjenja miqësore ndaj vendeve islamike dhe respektonte kontributin e tyre në thesarin e kulturës botërore. Po ashtu shpjegova qartë se Shqipëria është një vend europian, me një popullsi multi-religjioze të përbërë nga myslimanë, ortodoksë, katolikë e bektashinj. Kjo është një ndër arsyet që nuk e gjejmë oportune të bëjmë zgjedhje preferenciale në favor të vetëm popullsisë myslimane. I shpjegova sekretarit të Përgjithshëm të OKI-së se jemi të gatshëm të asistojmë në takime e konferenca tuaja si të ftuar. Pas këtij takimi i paraqita një relacion udhëheqjes së lartë të shtetit, Presidentit Alia, ku hodha edhe mendimin se duke u nisur edhe nga lidhjet historike e kulturore me botën arabe e myslimane mund të shikohej mundësia e marrjes nga vendi ynë të statusit të observatorit (vëzhguesit), i bindur se kjo përbënte një zgjedhje kompromisi që nuk dëmtonte interesat e vendit, por e trajtuar me finesë e diplomaci mund t'u shërbente këtyre interesave. Në dhjetor të po atij viti, '91, unë kryesova një delegacion shqiptar në Samitin e Konferencës Islamike në Dakar të Senegalit. Kjo shënon edhe krijimin e raporteve të para të vendit tonë me këtë organizatë. Më pas Shqipëria njohu ndryshimin e sistemeve dhe në mënyrë të natyrshme mjaft zhvillime të rëndësishme si në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme. Në këtë vazhdë dhe në këtë kontekst, më pas shteti shqiptar u bë anëtar i Organizatës së Konferencës Islamike. Gjykoj se në mjaft raste kjo është trajtuar në mënyrë simpliste, sikur me këtë zgjedhje janë tradhtuar interesat kombëtare. Gjërat nuk janë kështu bardhezi. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë më komplekse dhe të ndërvarura; sidomos në botën e sotme!
#