E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër krerët e BE-së shmangën Tiranën

Presidenti i BE-së viziton nesër Ballkanin. Axhendë e njëjtë si Ashton, Rehn dhe Solana

është hera e katërt brenda një viti që krerët e lartë të Bashkimit Europian zhvillojnë vizita zyrtare në Ballkan, duke shmangur ardhjen në Shqipëri. Pas Solanës, Olli Rehnit, Catherine Ashton, tani është radha e Presidentit të Bashkimit Europian, belgut Herman Van Rompuy, i cili do të vizitojë rajonin për të treguar rëndësinë që Brukseli u jep zhvillimeve politike dhe mbështetjes ndaj progresit drejt anëtarësimit të vendeve që quhen “Ballkani Perëndimor”. Por zoti Rompuy, i cili nis nesër një tur dyditor ballkanik, do të vizitojë Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe Kosovën. Edhe pse para disa muajsh pritej të futej në axhendën e Presidentit të BE-së një ndalesë sado e vogël në Tiranë, ajo nuk ndodhi. Sipas axhendës së botuar nga zyra për shtyp e Këshillit Europian, Presidenti Herman Van Rompuy mbërrin të hënën në Lubjanë, ku do të takojë Kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor, ndërkohë që në mesditën e ditës së nesërme ecën më në jug drejt Kroacisë, ku do të takohet me Presidentin Ivo Josipoviç dhe Kryeministren Jadranka Kosor. Ndërkohë, po nesër do të udhëtojë në Beograd, ku sipas axhendës do të zhvillojë takime me Presidentin serb, dhe në orët e mbrëmjes ka parashikuar një takim me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Të martën në mëngjes, Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, do të Zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka parashikuar takime me homologun e tij kosovar, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Po të martën, Van Rompuy ka parashikuar takime me krerët e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë dhe drejtuesit e misionit të BE-së, EULEX. Prej kryeqytetit të Kosovës, kreu belg i Europës së Bashkuar do të rikthehet në atdhe, ku ndodhet dhe kryeqendra zyrtare e BE-së.

Ashton

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, përkatësisht numri dy i Brukselit, Catherine Ashton, zhvilloi në fillim të këtij viti një vizitë në Ballkanin Perëndimor, por edhe ajo anashkaloi një ndalesë në Tiranë. Baronesha Ashton ka nisur më 16 shkurt një tur ballkanik, i cili thuajse kishte të njëjtën axhendë si Presidenti Van Rompuy, por me një ndryshim, që ka vizituar edhe Bosnjë-Hercegovinën.

Olli Rehn

Politikani finlandez tani drejton dikasterin më të rëndësishëm të Komisionit Europian, atë të Ekonomisë dhe Financave, por në kabinetin paraardhës “Barroso1”, Rehn ishte komisioner i Zgjerimit dhe njeriu përgjegjës i Brukselit për Ballkanin. Në korrik të vitit të shkuar, përkatësisht më 16 korrik, ai ndërmori një tur të gjatë ballkanik, ku përveç kryeqyteteve që do të prekë presidenti i BE-së, ka vizituar edhe Podgoricën, ku ka dorëzuar pyetësorin për Malin e Zi. Në atë kohë në Shqipëri sapo ishin zhvilluar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe dy forcat politike po zhvillonin një betejë të ashpër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe OSBE-ODIHR kishte dhënë një raport paraprak që evidentonte shkelje si gjatë fushatës elektorale, ashtu edhe në ditën e votimeve. Por përpara Olli Rehn-it (në korrik të vitit të kaluar) Ballkanin e vizitoi edhe ish-shefi i diplomacisë së BE-së, Havier Solana, i cili gjithashtu nuk ndaloi në Tiranë, megjithëse erdhi deri në Prishtinë. Ditët e fundit Europa i ka zbehur shpresat për një pranim të shpejtë të Ballkanit në BE. Javën e shkuar pati disa deklarata politikanësh të lartë europianë, që theksuan se pas pranimit të Kroacisë, që mund të hyjë në klubin e të mëdhenjve në vitin 2015, do të ketë një stopim të gjatë ku Bashkimi Europian do të bëjë një pushim të konsiderueshëm, ndërsa Shqipëria do të presë shumë. Vendi ynë është ende në stadin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, procedurë që pritet të “hajë” edhe vitin e ardhshëm...

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›