Kodheli: Zgjedhjet e parakohshme duken zgjidhja e vetme për daljen nga krizaNga Luljeta ProgniDeputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha dje në një intervistë se zgjedhjet e parakohshme duket se do të mbeten si e vetmja zgjidhje për të nxjerrë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kodheli: Zgjedhjet e parakohshme duken zgjidhja e vetme për daljen nga krizaNga Luljeta ProgniDeputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha dje në një intervistë se zgjedhjet e parakohshme duket se do të mbeten si e vetmja zgjidhje për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe politike, në të cilën është përfshirë prej disa muajsh. Kodheli flet në intervistën për “TemA”-n lidhur me rolin e presidentit në zgjidhjen e krizës, qëndrimin e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për mjaft çështje të tjera që kanë të bëjnë me aktualitetin politik në Shqipëri. Kodheli shprehet se opozita do të vazhdojë protestat e saj në kërkim të hapjes së kutive të votimit dhe nuk do të lodhet duke protestuar, pasi, sipas saj, është në të drejtën për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit
Zonja Kodheli, në një moment kur palët nuk po lëshojnë pe, sytë janë drejtuar nga ndërkombëtarët. Para disa ditësh, një zyrtar i lartë francez, Pierre Lellouche, ishte i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij ndaj opozitës për të hyrë në Kuvend. Ai madje tha se opozita ishte konfuze në kërkesat e saj. Ju si do e komentoni këtë deklaratë?
Përpara se t’i përgjigjem pyetjes tuaj, më lejoni të sqaroj publikun se, zotëria, të cilit i referoheni, është një përfaqësues i një partie të djathtë në Francë dhe nëse këtu do të vinte një përfaqësues i një partie të majtë franceze, qëndrimi “ndërkombëtar” në këtë rast mund të ishte i ndryshëm. Qytetarët shqiptarë janë tashmë të vetëdijshëm se edhe midis ndërkombëtarëve ka mendime të ndryshme lidhur më të njëjtin problem, qoftë ky i brendshëm i tyre, qoftë i jashtëm. Por le të vijmë te pyetja juaj. S’di, nëse zotëria është njohur vërtet me kërkesat e opozitës, por jam e bindur se, ajo që i është ofruar në tryezë prej qeverisë ilegjitime, nuk ka pasur të bëjë me çka realisht kërkesat tona, të drejta e demokratike, janë. Mundet që diskutimi në tryezën e qeverisë është konfonduar me problemin e shitjes së helikopterëve. Megjithëse në përgjithësi, kur jemi përpara krizash politike si kjo e jona, qëndrimi mbahet dhe opinionet jepen për qeverisjen, e cila është ajo që duhet të gjejë zgjidhje për të dalë nga kriza.
Gjithsesi jam e bindur se zotëria ka dalë në një tjetër konkluzion pas takimit me kryetarin e opozitës.
Zoti Llellouche deklaron se opozita i quan zgjedhjet legjitime, por, nga ana tjetër, kërkon rinumërim, çka bie në kontradiktë. Është kështu?
Mendoj se opozita ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e qartë në kërkesat e saj. Ne jemi të bindur, ashtu siç janë të bindur dhe organizmat ndërkombëtarë që certifikojnë zgjedhjet, si OSBE-ODIHR, se në 1/3 e rasteve votat e shqiptarëve janë numëruar keq ose shumë keq. Kjo shifër e lartë e kompromenton shumë legjitimitetin e institucioneve të dala prej këtyre zgjedhjeve, siç është parlamenti dhe qeveria.
Kryetari i PS takoi në zyrën e tij, presidentin Bamir Topi, ndërsa ky i fundit është nxitur që të luajë rol më të madh në zgjidhjen e krizës. Topi ka deklaruar se duhet vullneti i të dy palëve. Si e shihni ju rolin e presidentit dhe a jeni të gatshëm të uleni me presidentin negociator?
Pa dyshim që PS e sheh rolin e Presidentit të Republikës si shumë të rëndësishëm. Ne nuk na ka munguar dhe nuk na mungon aspak vullneti për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike, në të cilën ai ndodhet, por, për aq kohë sa nga ana tjetër e politikës marrim për përgjigje përbaltje dhe dhunë, më duket se zgjidhja e vetme do të ishte çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të liderit të PS nga tribuna e Kuvendit. I pyetur se përse ndërhyn në jetën private, ai ka deklaruar se bëhet fjalë për një politikan dhe akte të tilla nuk i tolerohen dhe i duhen denoncuar...
Kryetari i opozitës i ka bërë ftesë më shumë se një herë Berishës të shkojë në gjykatë dhe t’i denoncojë, ndryshe ato që janë thënë për të apo opozitën në tribunën e Kuvendit ose në tribuna të tjera, në shqip quhen shpifje. Më duket e tepërt të shtoj këtu se të gjithë e kuptojnë se kjo që po ndodh është një luftë e paskrupullt politike dhe se nuk ka të bëjë as me moralin e familjeve shqiptare, as me traditën, as me modernen dhe ajo që është më e rëndësishmja, as me ndonjë hall të këtij populli.
Zonja Kodheli, a është gati opozita për të kaluar në një nivel tjetër kërkesash, siç është largimi i qeverisë dhe jo vetëm hapja e kutive, d.m.th., një qëndrim më i fortë në këtë kërkesë? Protestat e fundit, duke vënë theksin te problemet ekonomike dhe sociale, duket se janë një hap drejt kësaj...
Së pari, më lejoni të përsëris se rinumërimi i drejtë i votave është ABC-ja e çdo sistemi demokratik. Ky i yni, megjithëse i brishtë, është një sistem i tillë, ndaj që të mbetet i tillë e të mos kalojmë në diktaturë duhet që rregullat e demokracisë të respektohen. Ndërkohë që në çdo sistem të vërtetë demokratik, një qeveri do të kishte rënë dhe një kryeministër do të kishte dhënë dorëheqjen, pas një ngjarjeje si ajo e Gërdecit, ndërkohë që të paktën një ministër Transporti do të kishte dhënë dorëheqjen pas një shembjeje tuneli si ajo e Rrëshen-Kalimashit. Mos harroni që ministrat në botën e civilizuar japin dorëheqjen për shumë më pak se kaq.
Së dyti, problemet ekonomike dhe sociale të një vendi të varfër si Shqipëria nuk mund as të mbulohen e as të zgjidhen me patetizmin e kongreseve partiake. Për fat të keq, buxheti me vrima të zeza i vitit 2010 nuk do të mund të zgjidhë asnjë prej problemeve që shqetësojnë e mundojnë njerëzit e thjeshtë, bizneset, bujqësinë, mjekësinë, artin, shkollimin apo ambientin.
Nëse një qeveri nuk përmbush asgjë prej atyre që ka premtuar e asgjë prej atyre që ka për detyrë, i mbetet vetëm të largohet.
Shumë pyesin se ç’do të ndodhë, pasi kryeministri, Sali Berisha, nuk duket se po jep shenja të tërheqjes nga qëndrimi i tij. Ideja është që opozita dhe përkrahësit e saj do të lodhen nga protestat. Zoti Berisha i ka provuar vetë këto skema. A mendoni se do shkojë kështu?
Opozita dhe përkrahësit e saj janë në të drejtën e tyre. Kush mbron të drejtën dhe lirinë, nuk lodhet.
Si do e komentoni rolin e kryetarit të LSI, Ilir Meta, në këtë krizë?
E dini pse qeniet njerëzore përkujdesen shumë për martesën dhe përzgjedhjen e partnerit? Sigurisht, pasi me të do të kalojnë një copë të mirë rruge në jetë, por edhe pse duan që fryti i bashkëjetesës së tyre të jetë një qenie sa më e bukur, e zgjuar dhe perfekte. Zoti na ruajt nga hibridet e tipit PD-LSI!
Së fundmi mes PS dhe LSI pati një përplasje në lidhje me anëtarësimin e PS në PSE. Çfarë ndodhi në Pragë në të vërtetë? A u anëtarësua PS në këtë organizatë të rëndësishme, vetëm sepse kemi nënshkruar MSA? A është ajo një anëtare e asociuar pa të drejtë vote?
PS ka qenë e ftuar të marrë pjesë në mbledhjet e PSE që prej 11 vjetësh. Ne kemi bërë kërkesën në tetor të këtij viti dhe vetëm pas dy muajsh kërkesa jonë për anëtarësim është pranuar. Këtë e ka ndihmuar pa dyshim edhe fakti që PSSH është anëtare e Internacionales, në të cilën Rama është kryetar i Komisionit për Evropën Juglindore të saj. Ju kujtoj se vetë PSE është anëtare e kësaj Internacionale. PS do të jetë çdo herë aty ku do të merren vendime të rëndësishme për vendin tonë, Ballkanin e ndoshta më gjerë.
Së fundmi, mendoj se zgjedhja e Edi Ramës në Kryesinë e Partive Socialiste Evropiane është një vlerësim që i bëhet jo vetëm atij personalisht, por të gjithë arritjeve të PS dhe aleatëve të saj të majtë, të gjithë mbështetësve e simpatizantëve të saj, të cilët me sjelljen e tyre kanë treguar se opozita dhe politika mund të jenë edhe ndryshe, me fjalë të tjera me të vërtetë evropiane.
Çfarë impakti mendoni se do të sjellë te mazhoranca rezoluta juaj për krizën ekonomike, e miratuar në Asamblenë Kombëtare?
Asambleja e PS u mblodh sot në një forum të posaçëm mbi çështjet ekonomike dhe veçanërisht ato të krizës së thellë që po kalon vendi. Nëse do të keni pasur rastin të lexoni draft-rezolutën e miratuar sot në këtë Asamble, do të mund të njiheni me atë se çfarë ndodh sot realisht në vendin tonë, ku po shkon ekonomia shqiptare dhe cila është perspektiva e qytetarëve shqiptarë për punësim, shkollim, kurim, pension e shumë si këto.
Më vjen keq të konstatoj se ndodhemi përpara një situate aspak të këndshme e gjitha kjo pasojë e keqqeverisjes. PS i del për detyrë të marrë frenat e vendit në dorë, për të kaluar fillimisht në qeverisje e më pas në mirëqeverisje. Jo sloganet, por largimi i ekonomisë shqiptare nga informaliteti dhe monopolet familjare, si dhe largimi i qeverisjes nga korrupsioni dhe nepotizmi do të na mundësojë shkuarjen e vërtetë në Evropë.