E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Viti 2010 do na zhysë në krizë ekonomike më keq se në ’97-ënNga TemaPartia Socialiste e cilëson situatën ekonomike në Shqipëri dëshpëruese dhe parashikon që viti në vijim do jetë më i rëndi për shqiptarët që pas vitit 1997. Në një mbledhje t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Opozita: Viti 2010 do na zhysë në krizë ekonomike më keq se në ’97-ënNga TemaPartia Socialiste e cilëson situatën ekonomike në Shqipëri dëshpëruese dhe parashikon që viti në vijim do jetë më i rëndi për shqiptarët që pas vitit 1997. Në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, është ngritur një strukturë që do quhet Këshilli Ekonomik Kombëtar, dhe që do merret pikërisht me këtë çështje. Në përbërje të tij do jetë dhe Arben Malaj, deri para pak kohësh kundërshtar i kryetarit, Edi Rama. Socialistët kanë miratuar dhe një rezolutë, ku i bëjnë thirrje qeverisë të marrë një sërë masash për të dalë nga kjo situatë kritike.
Duke folur në përfundim të referateve që kanë mbajtur ekspertët e ekonomisë pranë PS, kryetari, Edi Rama, tha se viti 2010 do shfaqë një krizë që ishte paralajmëruar prej kohësh nga opozita.
“Por, fatkeqësisht, as kambana jonë dhe as kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk u dëgjuan nga Sali Berisha, i cili, jo vetëm e fshehu fillimin e krizës duke ia faturuar këtë kosto të shtuar si gjithmonë qytetarëve shqiptarë, por bëri ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm për detyrën e tij karshi popullit të vet”, - tha Rama, që theksoi se kjo mund të jetë kriza më e rëndë ekonomike pas vitit 1997.
Kryetari i PS tha se ka rënë modeli ekonomik i këtyre viteve dhe është nevoja për një tjetër model të qëndrueshëm ekonomik.
“Shqipëria nuk mund ta mbështesë më tutje zhvillimin e ekonomisë në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti, mungesa e prodhimit dhe tulla e llaçi”, - tha Rama, që parashikon se dërgesat e emigrantëve do të bien, ekonomia informale do mpaket, të ardhurat si donacione do të shuhen dhe të ardhurat nga doganat do bien.
“Ndërtimi do të bjerë po ashtu. Të ardhurat nga privatizimet po shterojnë.
Depozitat bankare janë tkurrur. Borxhi i jashtëm është rritur shumë dhe duhet paguar. E kemi thënë qartësisht përpara 28 qershorit, dhe e nënvizojmë me forcë sot, nevojën e kalimit të ekonomisë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm, në një ekonomi me shpirt konkurrence, që mund të importojë kapital investimesh për hapje të vendeve të reja të punës, që mund të përballojë hapjen me ekonomitë e rajonit dhe ato të vendeve anëtare të BE, e aftë të përfitojë nga zhvillimi global, e pavarur nga trafiqet e informaliteti”, - tha Rama.
Sipas tij, modeli i ri ekonomik duhet të ketë në bazë arsimin e teknologjinë.
“Ne na duhet një ekonomi funksionale tregu. Një ekonomi e orientuar nga eksporti i mallrave e shërbimeve dhe jo e mbështetur në eksportin e fuqisë punëtore të pakualifikuar. Një ekonomi që mbështetet në kursimet e siguruara nga zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe nga formalizimi i ekonomisë. Një ekonomi që krijon klimë favorizuese për biznesin, veçanërisht biznesin prodhues. Një ekonomi, ku zhvillimi mbështetet në hartimin e zbatimin e kujdesshëm afatgjatë të politikave makroekonomike, ku ambicia për standarde evropiane të sundojë si prioritet i të menduarit qeverisës dhe axhenda evropiane të jetë në radhë të parë mendësi qeverisëse”, - tha Rama.
Sipas kryetarit të opozitës, ky nuk mund të jetë një model që ofrohet nga Berisha, që vitin 2009 e mbyll me rritje ekonomike 0%. Rama paralajmëroi gjithashtu për rreziqet e lekut të zhvlerësuar, rreziqe që do vijojnë dhe vitin që vjen.
“Në këtë panoramë rrugësh të mbyllura për vitin 2010, biznesi dhe bankat do të ballafaqohen më tutje me mungesën e shfaqur seriozisht të likuiditetit.
Ritmet e kreditimit kanë rënë në zero. Fitimi i bankave është përkeqësuar dukshëm. Kreditë e këqija janë dy dhe trefishuar. Rënia e të ardhurave buxhetore e ka detyruar qeverinë të reduktojë ndjeshëm shpenzimet buxhetore. Kjo ka sjellë mos-financim të projekteve për kontratat e nënshkruara, zhytje në borxhe të kompanive të kontraktuara nga qeveria dhe shkurtime vendesh pune prej tyre, ndërkohë që së fundmi është hapur edhe një debat i mjerë brenda qeverisë për rrogat e shpërblimet e fundvitit”, - tha Rama.
Sipas tij, kriza u pa qartë dhe në vendimin për të mos dhënë rrogat e dhjetorit dhe për të përgjysmuar shpërblimet e fundvitit, por dhe te rritja e çmimit të energjisë.
Rama tha gjithashtu se, sipas Bankës Botërore, numrit të familjeve të varfra i janë shtuar së fundmi edhe 30.000 familje të tjera. Kryetari i opozitës akuzoi se qeveria po fsheh shifrat e shtresës në nevojë duke mos publikuar fare as të dhënat e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës apo të Anketave të Forcës së Punës.
“Ne i sugjerojmë të zgjedhë qetësimin e klimës së biznesit, të rivendosë sa s’është shumë vonë dialogun me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të përballimit të krizës, duke mos e lënë më tutje vetëm përballë krizës.
Të debatojë me sipërmarrësit për të hartuar dhe implementuar në sintoni e bashkëpunim me ta një politikë të rishikuar fiskale, për ta kthyer biznesin në partner në formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e një ekonomie tregu funksionale, përpara sesa pasojat e armiqësisë ndaj sipërmarrjes t’i paguajë deri në fund vetë ekonomia e konsumatori. T’u japë fund veprimeve antikushtetuese e antiligjore dhe ndërhyrjeve brutale në ligj, që cenojnë, jo thjesht autonominë dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore, por vetë ekonomitë vendore e më gjerë ekonominë kombëtare. Shembulli i vendeve demokratike në përballimin e krizës flet për zgjerim të paketës mbështetëse për pushtetin vendor, jo për tërbim antidemokratik ndaj këtij pushteti. Ne i sugjerojmë Sali Berishës të bëjë distancimin e pushtetit nga monopolet, që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Modestisht dhe në respekt të autonomisë së saj, i kemi sugjeruar Bankës së Shqipërisë të vlerësojnë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës së interesit”, - tha Rama.
Një tjetër kërkesë emergjente, sipas kryetarit të PS, është dhe “rishikimi i marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, të posaçme me të, ku të kërkohet mbështetje financiare për të përballuar krizën, që mund të rezultojë fatale.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›