Rama në Bruksel: Jam skeptik për paktin me PD-në
Rama-Fules: “Nuk kemi asnjë arsye të besojmë që pala tjetër ka vullnet që këtë herë të mos e kthejë gjithë këtë proces në një kurth të ri, që të përfundojë me një palë tjetër zgjedhjesh të vjedhura”
TIRANË Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, apelon se për të çuar përpara procesin e integrimit të vendit, forcat politike shqiptare duhet ta kthejnë këtë mision në axhendë kombëtare. Apeli i tij është përcjellë gjatë takimit që ai ka zhvilluar dje në Bruksel me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në faqen zyrtare të Komisionit Europian thuhet se takimi i Ramës me Fylen ishte pjesë e kontakteve të rregullta me forcat politike shqiptare në kuadrin e marrëveshjeve të fundit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe votimet e ligjeve me 3/5. Fyle shprehu vlerësimin e tij për rolin që Partia Socialiste është gati të luajë për të mbështetur perspektivën europiane të vendit. Komisioneri Fyle tha gjithashtu se marrëdhëniet mes forcave politike duhet të bazohen në respektimin e dialogut, duke siguruar një zhvillim konstruktiv të jetës politike në Shqipëri. Nga ana e tij, Rama deklaroi se gjatë takimit u bë një bilanc i ngjarjeve të fundit politike në vend. “Nënvizuam vullnetin tonë që të japim të gjithë kontributin që na takon në aspektet që përgjegjësia është e përbashkët dhe ku opozita ka një rol të patjetërsueshëm. Theksuam shqetësimet tona lidhur me të gjithë atë pjesë tjetër të konsiderueshme të prioriteteve, që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë e qeverisë. Nga ana tjetër morëm inkurajim dhe mbështetje për të vazhduar në këtë proces dhe për të dhënë gjithçka mundemi që procesi të jetë sa më përmbajtësor dhe që rezultatet e tij të jenë të dukshme dhe të prekshme”, - tha Rama. Por përpos angazhimit, kryetari i PS-së shfaqet skeptik për paktin e arritur me PD-në. “Ne hyjmë te skeptikët dhe nuk kemi asnjë arsye të besojmë që pala tjetër ka vullnet që këtë herë të mos ta kthejë gjithë këtë proces në një kurth të ri, që të përfundojë me një palë tjetër zgjedhjesh të vjedhura. Na takon të bëjmë gjithçka mundemi me besimin që sensibilizimi shumë i lartë i komunitetit ndërkombëtar dhe përkatësisht i BE-së, lidhur me çka është e domosdoshme sot për t’u kapërcyer, do të jetë një ndihmesë shumë e madhe që e shkuara të mos përsëritet. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që kemi një raport të ODIHR-it që, ndryshe nga raporti i zgjedhjeve të vitit 2009, është i qartë, është i troçtë dhe nuk lë vend për ekuivok. Kështu që jemi plotësisht të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e kursit tonë të ri, por jemi dhe besimplotë që ky kurs i ri ka gjetur një terren të përshtatshëm në kushtet e reja politike që janë krijuar, për shkak se e vërteta ka dalë plotësisht në shesh dhe se askush nuk mund t’i fshihet më asaj”,- tha Rama. Kryetari i PS-së shoqërohej në këtë takim nga deputetët Ditmir Bushati, Taultant Balla si dhe anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS, Lindita Nikolla. Delegacioni i PS-së ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në punimet 2-ditore të Konventës Socialiste Europiane.