E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trakte kundër Bollanos në Gjirokastër

Trakte kundër Bollanos në Gjirokastër. Qyteti i gurtë është gdhirë dje i mbushur me disa fletushka, që bënin thirrje për reagim ndaj veprimeve të Vasillaq Bollanos, kryetarit të organizatës së minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA. "Eja o vëlla … Eja o motër ….. Eja o at ….. Eja o nënë ….", niste thirrja drejtuar qytetarëve të Gjirokastrës. "Eja o shqiptar kudo ndodhesh, eja mblidhuni për të kundërshtuar ofendimin, përbuzjen, poshtërimin nga ata që shesin edhe shpirtin për t‘u bërë shërbëtorë të djallit …", vijonte thirrja e ngjitur në muret pranë shesheve dhe rrugëve kryesore të qytetit". "Ejani, për Himarën, ejani për Shqipërinë, për nderin, për krenarinë tonë, për atë që e kemi mbrojtur me gjak ndër shekuj, me atë gjak që është dhe mbetet KUQEZI", thuhej në thirrje."Eja për të mos e lënë Himarën të bëhet blu…Eja të reagojmë kundër atyre që u dhamë respektin, mikpritjen shqiptare dhe tani na ofendojnë në vatrat tona …O shqiptar po si mund të durosh kur të thonë që gjaku yt është bardheblu, të të poshtërojnë, në shtëpinë tënde, në sy të botës, Ti që ke dhënë jetën shpirtin për këto troje, nipër të atyre heronjve që u dogjën, u përvëluan, u vranë, u martirizuan për ty…", shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje". "Unë, vijon kjo thirrje, sot guxoj të them Mjaft më! Mjaft më poshtërimit, mjaft më greqizimit, o sot o kurrë për shqiptari, për Himarën kuqezi".
Në fund qytetarët ftoheshin të firmosnin një peticion për shkarkimin e Vasillaq Bollanos nga posti i kryetarit të Bashkisë së Himarës, por autori i traktit nuk kishte lënë emër dhe as sqarime për mënyrën se si mund të firmoset ky peticion.
Ndërkohë, dje në Vlorë është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të Vasillaq Bollanos, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Kryebashkiaku i Himarës nuk ishte as dje i pranishëm në gjyq, ndërkohë që seanca u shty, pasi ekspertët e caktuar për rivlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga heqja e tabelave kulturore turistike nuk e kishin gati raportin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›