Kodi Penal futet në rend të ditës

Behar Selimi në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka kërkuar futjen e në rend të ditës të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, Arben Gashi kryetar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë se kjo nuk është me urgjencë dhe duhet të shikohet mirë kjo çështje, pasi që nuk do të hiqen nenet 37, 38 dhe 39, por shfuqizimi i tyre.
Nga ana tjetër kryetari i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK ka qenë për heqjen e këtyre neneve dhe këtë e përkrah edhe sot.
“Ju e dini që LDK-ja e ka thënë qëndrimin e saj për heqjen e këtyre neneve. Por në seancën e kaluar nuk e kemi përkrahur atë çka ka bërë PDK-ja, se vet e ka miratuar. Ne nuk kemi qenë që në seancën e kaluar, që kjo të futet, por e kemi thënë se në qoftë se respektohen procedurat ne do të përkrahim të futet në rend të ditës dhe do të përkrahim edhe heqjen e këtyre neneve”, ka thënë Beqiri.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka përkrahur futjen në rend të ditës.
Gjithashtu edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka përkrahur futjen në rend të ditës.
Me shumicë votash është miratuar kriteri i shmangies së rregullores së punës së Kuvendit, duke u futur në rend të ditës Kodi Penal i Kosovës.