Tërmkolli: Qeveria po qeverisë në mënyrë “banditeske”

Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Melihate Tërmkolli të enjten gjatë një konferencë për media ka akuzuar Entin e Statistikës së Kosovës (ESK), për procesin e regjistrimit të popullsisë, të cilin ajo e ka quajtur si proces të dështuar.
“Edhe pas një viti Qeveria e Kosovës, respektivisht Enti i Statistikave të Kosovës ende nuk i ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Enti i Statistikës i Kosovës ka qenë i obliguar me ligj që qysh në qershorin e vitit të kaluar t’i bëjë publike disa nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Pra, sipas ligjit, Enti i Statistikës i Kosovës është dashur që t’i publikojë rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në nivel komunal, ku do të përfshihej numri i popullsisë, numri i ekonomive familjare dhe numri i banesave. Ka kaluar më shumë se një vit që Enti i Statistikës ende nuk i ka bërë publike këto rezultate, duke e shkelë kështu ligjin për regjistrimin e popullsisë”, ka thënë ajo.
Ajo më tej ka thënë se mospublikimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, lëre që po e dëshmon se ky proces është i dështuar, pos sipas saj, po tregon se kjo Qeveri po qeverisë në mënyrë “banditeske” duke i shkelur ligjet. Ajo po ashtu ka shfaqur dyshimet se mos ESK-ja po i pret rezultatet e regjistrimit nga Serbia.
“Kjo veç po e dëshmon edhe njëherë konstatimet tona të mëhershme që ky proces është i dështuar. Mirëpo, në anën tjetër, kjo po provon edhe njëherë se kjo qeveri po qeverisë në mënyrë ‘banditeske’, pa ligj dhe duke e shkelur ligjin. Se cili është qëllimi i fshehjes së rezultateve të regjistrimit të popullsisë, këtë duhet ta tregojë qeveria dhe Enti i Statistikës i Kosovës, mirëpo është e qartë se pasojat janë evidente. Unë nuk e kam të qartë dhe dyshoj se mos po presin rezultatet e regjistrimit nga Serbia”, ka thënë ajo.
Mospublikimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, sipas Tërmkollit po shkaktojnë shumë dëme, pasi sipas saj, mbi bazën e numrin të popullsisë bëhet edhe ndarja e mjeteve financiare, kurse sipas saj, ato mjete po ndahen në mënyrë jo të drejt.
“Ato pasoja evidente kanë të bëjnë me raste shumë konkrete. Kanë të bëjnë me ndarje e mjeteve financiare për komuna, sepse siç e dini një pjesë e mjeteve financiare që ndahet për komuna ndahet në bazë të numrit të popullsisë dhe përderisa nuk kemi të dhëna për numrin e popullsisë, ato ndahen në mënyrë jo të drejtë”, ka thënë ajo.
Ajo tha se mospublikimi i rezultateve për regjistrimin e popullsisë ndikon edhe në reformimin e sistemit zgjedhor në vend, pasi që sipas saj, nëse shkohet me më shumë zona zgjedhore, sipas saj do të jetë shumë i rëndësishëm numri i popullsisë nëpër komuna.
Lidhur me shpenzimet për procesin e regjistrimit të popullsisë, Tërmkolli ka kërkuar auditim për gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë, sepse sipas parashikimeve të AAK-së që ajo i prezanton për vitin 2007, regjistrimi do të mund të kryhej me 6 milionë euro, ndërsa për regjistrim janë dhënë 11 milionë euro. Madje ajo thotë se analizat që ekspertët e AAK-së i kanë bërë, me shumën prej 6 milionë eurosh ata kishin paraparë që të jenë 7 mijë regjistrues, ndërsa kjo qeveri sipas saj, ka pasur vetëm 5 mijë regjistrues.
Ajo ka shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ende punon me ligje të UNMIK-u dhe akoma nuk ka një ligj mbi për Qeverinë e Kosovës, dhe sipas saj, kur kjo mungon që është bazë për funksionimin e Qeverisë, çfarë mund të presim për zbatimin e ligjeve të tjera. /kosovapress/