Presidenti Topi uroi Presidenten Jahjaga

“E nderuara Zonja Presidente! Kam nderin e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve dhe të gjithë popullit të Kosovës, urimet më të përzemërta për mbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës!
Ky vendim është një arritje historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt funksionimit me pavarësi të plotë të shtetit të Kosovës. I gjithë kombi shqiptar gëzohet për këtë sukses të rëndësishëm që kontribuon direkt në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Kjo arritje tregon se tashmë institucionet e Kosovës po funksionojnë normalisht dhe janë duke u përmbushur mjaft objektiva në konsolidimin dhe legjitimimin e tyre.
Kjo dëshmon gjithashtu se klasa politike kosovare ka një pjekuri të madhe në vendimet e saj gjatë momenteve më thelbësore për Kosovën, duke përdorur mjetet institucionale dhe ligjore për koordinimin e zbatimin e reformave kyçe dhe të politikave strategjike të shtetit.
Gjithashtu, me këtë rast dëshiroj të nënvizoj dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka kryer komuniteti ndërkombëtar në stabilizimin e situatës në vend, pa të cilën nuk do të ishte e mundur të kishim këto përparime në ngritjen e një shteti ligjor dhe demokracie funksionale në Kosovë”, theksohet në mesazhin e kreut të shtetit shqiptar.