Janë për dialog

Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë bisedimet si dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë procesit negociator.
Ky është konkluzioni që ka dalë pas takimit të Zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, me shefin e ekipit negociator serb, Borko Stefanovic të mërkurën në Beograd.
Stefanovic ka thënë se takimi me Reeker ka qenë konstruktiv.
“Takimi i sotëm me Reeker ka qenë mjaft konstruktiv, kemi shkëmbyer pikëpamje për vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Jemi pajtuar për nevojën e vazhdimit të dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Stefanovic.
Sipas tij, Reeker ka shfaqur pritjet e SHBA’së që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë dhe të zbatohen marrëveshjet e arritura.
Por, dy palët janë dakorduar se ka mundësi që ky dialog të zhvillohet edhe në nivel më të lartë politik.
“Jemi pajtuar se është e mundshme që dialogu të ngrihet në nivel politik, që nënkupton nivel më të lartë të negociatorëve me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të vështira dhe zbatimin më të lehtë të marrëveshjeve të arritura me Prishtinën”, ka thënë Reeker.
Diplomati amerikan Reeker të martën në Beograd ka takuar pothuajse të gjithë spektrin politik në Serbi, përfshirë edhe një takim të shkurtër me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic.
Aktualisht partitë politike në Serbi po bëjnë përpjekje për krijimin e Qeverisë së re.
Por, diplomacia amerikane duket se ia ka dalë të qetësojë retorikën e nxehtë të politikanëve serbë karshi Kosovës, e cila u evidentua sidomos gjatë festimeve për Vidovdan.
Kërcënimi i mandatarit për formimin e Qeverisë së Serbisë, Ivica Dacic, për sjelljen e forcave serbe në Kosovë është zbehur pasi ky zyrtar është takuar me Reeker.
Në fakt Dacic është shprehur në favor të dialogut me Kosovën.
“E njoftova Reeker me qëndrimin tim dhe të koalicionit se ne jemi për integrime europiane dhe se do të vazhdojmë rrugën drejt BE’së sikurse edhe bisedimet në lidhje me çështjen e Kosovës dhe Metohisë dhe se do t’i respektojmë marrëveshjet e arritura në dialog”, ka thënë Dacic.
Mediat serbe kanë publikuar detaje të takimit Dacic- Reeker, ku thuhet se gjatë bisedës mandatari për krijimin e qeverisë së re serbe ka pasur edhe një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, e që në Beograd është përshkruar si një sinjal se Serbia do të vazhdojë rrugën e integrimeve.
Siç është bërë e ditur, Dacic kishte synuar një telefonatë me Sekretaren amerikane të shtetit, por fillimisht atij i është thënë që të takojë zyrtarët amerikanë që do të vizitojnë Beogradin.
Në kryeqytetin serb pas pak ditësh pritet të arrijë edhe Philip Gordon, Zëvendëssekretar amerikan i shtetit.
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se diplomati amerikan i ka thënë atij se SHBA’ja do të bashkëpunojë me secilën qeveri të Serbisë, edhe pse fillimisht është thënë se ata po e inkurajojnë një koalicion të madh, ku do të përfshihej edhe Partia Demokratike e Boris Tadic.
Ndërkohë, analistët serbë, duke komentuar vizitat e zyrtarëve amerikanë, kanë deklaruar se ata kanë shkuar atje pikërisht për shkak të formimit të Qeverisë së re dhe çështjes së Kosovës, e cila, sipas Profesorit të Shkencave Politike në Beograd, Predrag Simic, po bëhet mjaft e ndërlikuar.
Por, Simic konsideron se një nga arsyet që diplomatët janë atje është mbrojtja e interesave amerikane në Ballkan
“Më duket se diplomacia amerikane aktualisht është duke reaguar ndaj formimit të Qeverisë e një nga arsyet është edhe çështja e Kosovës, e cila është komplikuar mjaft veçmas me vendimin për mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë”, ka thënë Simic.