Ibrahimi e lë politikën

Kabineti qeverisës i Kryeministrit Hashim Thaçi po vazhdon të pësojë ndryshime.
Shembullin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të martën e ka ndjekur edhe Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, por për arsye krejtësisht tjera.
Ai ka dhënë dorëheqje nga dy postet politike që i mbante - atë të Zëvendësministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës si dhe Nënkryetarit të AKR’së, jo për shkak të ndonjë premtimi publik, por, siç u tha, për t’iu kushtuar jetës së tij akademike.
“Gashi ka paraqitur dorëheqjen e tij pranë Qeverisë dhe Kryeministrit Hashim Thaçi të hënën pasdite. Arsyetimi i tij ka qenë se dëshiron t’i përkushtohet jetës së tij akademike”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i MPJ’së për Express të martën.
I njëjti zyrtar ka thënë se zyrtarisht dorëheqja e Gashit nuk është dërguar ende në Zyrën e Kryeministrit për aprovim.
Përderisa, Shefi i Qeverisë ende nuk ia ka aprovuar largimin, këtë procedurë thuhet ta ketë kryer shefi i Partisë së Gashit.
Këshilltari politik i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj ka pohuar të martën për Express se Gashi nuk do të jetë më pjesë e AKR’së e as marrëveshjes së koalicionit qeverisës me Kryeministrin Thaçi.
“Po, sot e kemi pranuar dorëheqjen e zotit Gashi, i cili është larguar nga dy pozitat, atë të nënkryetarit të Partisë si dhe të zëvendësministrit të jashtëm”, ka thënë Zyberaj për Express.
Vetë Gashi nuk është përgjigjur gjatë gjithë ditës për arsyet e dorëheqjes së tij.
Ndërkohë, burime të gazetës kanë bërë të ditur se ish-Zëvendësministri i kabinetit Thaçi po përgatitet për t’ia mësyrë karriges së Rektorit të Universitetit të Prishtinës.
“Ai do të shkojë në Rektorat. Po përgatitet për të konkurruar në pozitën e zotit Rugova, për atë ka hequr dorë nga postet politike”, ka thënë burimi.
Kur Ibrahim Gashi ishte emëruar Zëvendësministër, atij thuhet se i ishte premtuar se shumë shpejt do të emërohet Ministër i Drejtësisë. Por, pasi që AKR nuk mori ministri plus, Gashi është ndjerë i injoruar. Burime të gazetës thonë se në kontekst të kësaj indinjate është edhe dorëheqja nga politika e z. Gashi.
Me largimin e Gashit ndërkaq, numri i pozitave të lira në kabinetin e qeverisë Thaçi arrin në tre.
E, përderisa shkresa zyrtare e largimit të tij thuhet të mos jetë proceduar ende në adresën e fundit, tek kreut i ekzekutivit, ajo e Hajredin Kuçit tashmë ka një javë që pret aprovimin e shefit të Qeverisë, Hashim Thaçi.
Ndryshe, Gashi kishte shërbyer si Nënkryetar i Behgjet Pacollit që nga 2006’ta, ndërsa në mars të 2011’ës ishte emëruar zëvendës i ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj.
Gjatë kësaj kohe ai ka shërbyer edhe si mësimdhënës i marrëdhënieve ndërkombëtare në degën e historisë të Universitetit të Prishtinës.