E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni antidrogë, 12 shqiptarë në pranga në Itali

Mbi 20 të arrestuar, mes të cilëve 12 shqiptarë kanë përfunduar në pranga, ndërsa janë sekuestruar 13 kg heroinë dhe 4.5 kg kokainë gjatë një superaksioni antidrogë në Itali. Celula e antidrogës së karabinierëve të Askolit ka vënë në pranga 20 të dyshuarit e organizatës, e cila sipas hetimeve konsiderohet si një ndër më eficientet dhe më të mëdhatë në zonën e Askolit dhe operative prej më shumë se 15 vitesh. Hetimet për këtë operacion kanë nisur 4 vite më parë, ndërsa në katër vite janë sekuestruar disa herë sasi të ndryshme droge, kryesisht heroinë. Në një dalje të posaçme për shtyp, zyrtarë të celulës së antidrogës në Askoli u shprehën se organizata ishte lider në furnizimin me shumicë të tregut me heroinë dhe kishte një rrjet të konsoliduar shpërndarjeje thuajse në të gjithë Italinë. Të njëjtët persona u shprehën se hetimet për këtë organizatë do të vazhdojnë, pasi dyshohet se ende shumë anëtarë të rëndësishëm të saj vijojnë të drejtojnë këtë aktivitet, por mbi këta anëtarë ende nuk ka prova të mjaftueshme për t’u vërtetuar implikimin. Sipas hetuesve italianë, në krye të organizatës janë shtetas shqiptarë dhe turq, të cilët kontrollojnë aktivitetin nga Shqipëria, Turqia dhe Spanja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›