E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, gati rihapja e debatit

14/12/2008  Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të diskutojë kërkesat e LSI-së dhe PDK-së

Anëtari i komisionit Shehu: Komisioni nuk ka asnjë kufizim në objektin e shqyrtimit

Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore pritet t’i rifutet edhe një herë debatit për çështjet që shkaktuan konflikt mes partive politike lidhur me Kodin Zgjedhor, e veçanërisht përfshirjen e LSI-së dhe PDK-së në proceset administruese. Burime nga mazhoranca pohojnë se komisioni do të rishohë mundësinë e trajtimit nga Kodi Zgjedhor të çështjeve të tjera përveç objektit për të cilin kreu i shtetit e ktheu ligjin e zgjedhjeve për rishqyrtim. Kësaj mundësie duket se i ka paraprirë edhe vendimi i Konferencës së Kryetarëve për të rimandatuar Komisionin për Reformën Zgjedhore për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës dhe jo Komisionin e Ligjeve, i cili është i kufizuar ta rishqyrtojë atë vetëm për sa i takon kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentit Topi. Sërish dje LSI-ja dhe PDK-ja përsëritën kërkesën e tyre ndaj dy partive kryesore në vend, PD-së dhe PS-së, për të rishqyrtuar mundësinë e përfshirjes së tyre në proces. Por PS-ja nuk tërhiqet nga vendimi i saj për këtë çështje.

Rishqyrtimi

Ndryshe nga deklaratat politike, që deri më tani e kanë vënë theksin te kufizimi që Rregullorja e Kuvendit i vë komisionit për të diskutuar vetëm çështjet që lidhen me dekretin, burime brenda PD-së flasin për një dritë jeshile në këtë drejtim. Këtë linjë gjykimi ndjek edhe anëtari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, deputeti i PD-së Tritan Shehu, i cili deklaroi gjatë një prononcimi për “Metropol” se komisioni ka tagrin për të diskutuar edhe çështje të tjera jashtë dekretit të Presidentit. “Nuk mund të them se çfarë do të bëjë realisht Komisioni për Reformën Zgjedhore, nëse do të marrë në shqyrtim kërkesat e partive të tjera apo jo, por teorikisht ai mund të diskutojë çfarëdolloj çështjeje tjetër përveç objektit të dekretit të Presidentit të Republikës”, - tha Shehi. Duke vijuar më tej, ai deklaroi se komisioni nuk ka asnjë lloj kufizimi për numrin dhe llojin e çështjeve që mund të ridiskutojë.

Qëndrimet

Partia Socialiste, duke iu referuar vendimit të Konferencës së Kryetarëve, ka përsëritur vendimin e saj për të mos lëshuar pe për LSI-në. Thirrjes së kësaj të fundit për të riparë mundësinë e përfshirjes në procesin e administrimit të votave edhe atë si forcë politike, socialist Braçe i është përgjigjur pa mëdyshje. “Vendimi i Konferencës së Kryetarëve thotë: ‘....rithirrja apo ristrukturimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore me qëllim shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës’. Ky është vendimi, gjërat e tjera pastaj, e kam thënë edhe herë tjetër, është e tepërt të harxhojmë kohën për të komentuar karagjozllëqe”, - tha Braçe. Reagimi i tij erdhi pas thirrjes që u kanë bërë PD-së dhe PS-së për të disatën herë LSI-ja dhe PDK-ja. “I kujtojmë Kryeministrit përgjegjësinë e rëndë që qeveria e tij mban për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të vitit 2009. LSI-ja i drejtohet edhe një herë PS-së dhe kryetarit të saj, duke kujtuar se PS-ja është evidentuar dhe ka dashur vetë të evidentohet si protagoniste e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ajo rrezikon të marrë mbi vete përgjegjësi specifike, të paprecedentë për ecurinë e zgjedhjeve në fjalë”, - tha nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi. Edhe sekretari politik i PDK-së Lazër Stani ka theksuar se përjashtimi nga procesi i administrimit të votës i PDK-së dhe forcave të tjera politike vë në rrezik zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe i bën ato të kontestueshme ende pa u mbajtur.

Pëllumb Xhufi (LSI)

“Koha shumë e shkurtër që kemi në dispozicion duhet të shfrytëzohet për të përmirësuar të paktën hallkën e fundit të procesit elektoral: administrimin e votës. Ne gjykojmë se ky është çasti i fundit për të hequr dorë nga egoizmat dhe nga këshilltarët egoistë. Mbi të gjitha ne gjykojmë se është krejtësisht i papërligjur nxitimi për të kaluar një kod që nesër mund të rezultojë vetëvrasës për vetë PS-në dhe të majtën në përgjithësi.”

Erion Braçe (PS)

“Lidhur me vendimin e Konferencës së Kryetarëve marrë dje, vendim i cili do të formalizohet ditën e hënë në sallën e Kuvendit, thuhet: ‘Rithirrja apo ristrukturimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore me qëllim shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës’. Ky është vendimi, gjërat e tjera pastaj, e kam thënë edhe herë tjetër, është e tepërt të harxhojmë kohën për të komentuar karagjozllëqe.”

Lazër Stani (PDK)

“I kërkojmë Kryeministrit Berisha të heqë dorë nga deklaratat demagogjike dhe të marrë përgjegjësitë kushtetuese për garantimin e votës së lirë të qytetarëve, si dhe të nisë dialogun politik me partitë parlamentare të maxhorancës dhe opozitës për hartimin e një kodi elektoral gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga palët. Kriza politike e krijuar nga hartimi i një kodi antikushtetues dhe përjashtues është krizë edhe brenda së djathtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›