E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi dhe "Ligji për prokurorinë" të hënën në Kuvend

Seanca e së hënës është e fundit për këtë vit dhe për gjithë sesionin parlamentar të Vjeshtës. Ne kete seance pritet te kalojne dy ligje, Dekreti i Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor dhe projektligji "Për Prokurorinë" 

TIRANË- Dekreti i Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor dhe projektligji "Për Prokurorinë", janë dy çështjet që pritet të diskutohen në seancën plenare të së hënës në Kuvend. Seanca e së hënës është e fundit për këtë vit dhe për gjithë sesionin parlamentar të Vjeshtës.
Për të dyja këto çështje maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensus, duke i miratuar ato në komisionet përkatëse.
Ligji i Kodit zgjedhor, pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës më 3 dhjetor, u rishqyrtua nga komisioni i posaçëm zgjedhor, i cili miratoi një dispozitë tranzitore që i hap rrugën caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare 2009, nga Kreu i Shtetit. Ky i fundit e dekreton datën e zgjedhjeve 7 ditë pas miratimit të Kodit.
Ligji i ri zgjedhor përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore.
Ndërsa p/ligji "Për Prokurorinë" u miratua dje nga komisioni i Ligjeve me konsensusin e deputetëve të të dyja palëve, por i kontestuar nga grupet e interesit, ne kete rast Prokuroria e Pergjithshme. Ligji i ri, që për nga rëndësia në reformimin e sistemit të drejtësisë, renditet i dyti pas ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe kërkon miratim me shumicë të cilësuar votash (84 vota).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›