E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça-Gjirokastra,bllokohen nga bora

Moti i keq ka pushtuar juglindjen në 24 orët e fundit, teksa bashkë me temperaturat e ulëta është shoqëruar me rrugë të bllokuara dhe mjaft problematike. Nga orët e vona të natës së kaluar qarku juglindor i vendit është mbuluar nga rreshjet e dëborës. Sasitë e këtyre rreshjeve kanë qënë të mëdha ndryshe nga një ditë më parë duke arritur deri 30 centimetra. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit mësohet se dy akset më të rënduara janë Korçë-Pogradec, Korçë-Kolonjë, Korçë-Kapshticës. Më problematike paraqitet gjendja në segmentin Qafë Plloçë-Grabovicë në segmentin Korçë-Pogradec ku dhe trashësia e borës është shumë e madhe si pasojë e erës që ka fryrë gjatë natës. Ndërkaq aks tjetër i vështirë në qarkullim është Korçë-Kolonjë në Qafën e Qarrit i kalueshëm vetëm me zinxhirë ku për disa orë gjatë mëngjesit rruga ishte e pakalueshme, ndërsa pas hedhjes së kripës ka nisur dhe qarkullimi i mjeteve. Përsa i pëket superstradës Korçë-Kapshticë edhe këtu kalimi bëhet me zinxhirë. Temperatura në qarkun e Korçës ka arritur në -4 gradë celcius, ndërsa pritet që rreshjet e borës të vazhdojnë gjithë gjithë ditës. Edhe qyteti Gjirokastrës është zgjuar sot e zbardhur nga dëbora. Rreshjet e dëborës kanë filluar në orët e mesnates dhe mëngjesi e ka gjetur atë të zbardhur krejtësisht. Qarkullimi ka qenë normal deri në orën 10.00 të paradites ndërkohë që më pas çdo gjë është vështirësuar për mjetet që qarkullonin kryesisht në zonën muzeale ku kalldrëmet ishin fshehur poshtë dëborës që në qytet mungon prej vitesh. Policia bashkiake dhe ajo e qarkullimit rrugor pranë komisariatit të policisë së qytetit kanë vënë nën kontroll drejtimin e mjeteve për shmangien e kaosit. Aktualisht në zonën muzeale qarkullojnë vetëm mjetet fuoristradë. Shtresa e dëborës ka arritur në mbi 10 cm. Nëpër rrugët nacionale vështirësia më e madhe paraqitet në qafën e Muzinës ku drejtoria rajonale e rrugëve po hedh kripë për të shmangur ngrirjen e dëborës në rruge dhe për të evituar rreziqet në qarkullimin e mjeteve. Dëbora ka vështirësuar rrugë rurale e veçanërisht ato të Pogonit dhe Zagorisë të cilat me ritmin e reshjeve të deborës shumë shpejt do të jenë të pakalueshme. Dëbora vazhdon të bjerë me intesitet të lartë në tërë rajonin jugor ndërkohë që dogana greke ka njoftuar se segmenti Janinë-Kakavijë mund të kalohet vetëm me zinxhira . Ndërohë që nga dëbora është përfshire dhe gjithe krahina e Matit ku më problematike paraqitet situata në Kalane e Dodës dhe në Macukull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›