E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligj për fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare

Me 78 vota për, 10 kundër dhe pa asnjë abstenim, ligjvënësit të premten kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Partitë parlamentare kanë dhënë mbështetje miratimin e këtij Projektligji dhe plotësimin e tij në lexim të dytë, ndërkohë më së shumti vërejtje janë dhënë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se mbikëqyrja burimin e ka në propozimin gjithëpërfshirës të statusit të Kosovës.

Ai ka përmendur edhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për themelimin e zyrës arbitrare, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut, për kërkesat për pronën e paluajtshme, dhomën e posaçme të AKP-së, Rregulloren e UNMIK-ut për Fondin Pensional, Kodit Doganor dhe të Akcizave.

Gjithashtu në paketën prej 21 ligjeve hyjnë edhe ligjet si: ai për ATK-në, për financat publike dhe përgjegjësitël; për gjykatat, Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial; për liritë fetare; për shpronësimin; për mbrojtjen e komuniteteve; për krijimin administrative të komunave. Pastaj kemi Ligji për Shtetësinë, regjistrimin e popullsisë, FSK-së dhe shërbimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të thotë janë gjithsejt 21 ligje.

Kuçi ka thënë se ekzekutivi i vendit synon realizimin e gjitha amandamenteve kushtetuese.

"Qeveria synon që me përkushtim të saj të plotë realizimit të këtij synimi me kalimin me kohë të gjithë amandamenteve kushtetuese. Ky projektligj është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe standardet e BE-së", ka thënë Kuçi

Sipas tij, veprimet e këtij projektligji, posa të hyjë në fuqi, do të kenë efektin e plotë që parashihen rreth mesit të shtatorit të këtij viti.

Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, i cili njëherësh është kryetar i komisionit ‘ad hoc’, ka thënë se po punohet intensivisht në ndryshimet e nevojshme, duke shtuar se votimi në komision është bërë me konsensus dhe mbështetje të gjithë anëtarëve.

"Komisioni ka analizuar thellësisht këtë pako dhe parashihen tri lloj ndryshimesh. Pjesa e parë me karakter teknik nuk është vetëm proces legal, por proces politik që është një e arritur e madhe. Tani kemi partneritet për ta avancuar Kosovën për t’i dhënë sovranitet të plotë dhe Kosova si shtet të hyjë në agjendat evropiane në pozita të barabarta me vendet tjera", ka theksuar Bajrami.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se e përkrah këtë projektligj për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

"LDK fuqishëm do të përkrahë përfundimin e këtij procesi. Është me rëndësi që përfaqësuesit politikë të Kosovës të tregojnë se janë të gatshëm të marrin në duart e veta kompetencat", ka thënë ajo.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se këtu nuk përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur, por vetëm po hiqen kompetencat e Peter Faith-it.

Për një kohë pavarësia do të jetë e mbikëqyrur për shkak të pakicës serbe. Si po përmbyllet nëse vërtetë po u përmbyllka. Nuk po përmbyllet mbikëqyrja, janë propozuar për miratim disa nene që hiqet Feithi nga pozita. Është e domosdoshme ta kuptojmë drejt dhe qartë mbikëqyrjen. Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës shtrihet në dy rrafshe mbikëqyrja nga lart dhe mbikëqyrja përbrenda", ka thënë Ymeri

Burimi Ramadani nga AAK ka thënë do të votohet, pasi që mosvotimi i këtij Projektligji do ta sillte Kosovën në një pozitë të pakëndshme.

"Ne si AAK e shohim këtë projektligj si hap të rëndësishëm dhe normalisht se do të votojmë pro këtij projektligji për shumë arsye, edhe për një arsye se mendojmë se moskalimi i këtij projektligji mund ta sjellë Kosovën në një situatë të pakëndshme", ka thënë Ramadani.

Por vërejtje ka dhënë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se nuk po hiqet mbikëqyrja e pavarësisë, kur pas disa ditësh do të merret vendimi për zgjatjen e mandatit EULEX-it në vend.

Si problem ai ka përmendur futjen e nenit për Kishën Ortodokse Serbe në Ligj. Ai ka kërkuar që të hiqet ky nen dhe liritë fetare të mos hyjnë në ligj./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›