Kodi i ri Zgjedhor, i pamundur hartimi brenda 31 korrikut
Shaban Sulçe
Komisioni parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor duket se nuk do t’i shpëtojë fatalitetit të komisioneve pasardhëse, për shtyrjen e afatit të punimeve. Koha e shkurtër në dispozicion, vonesat, por edhe mosmarrëveshjet midis partive e bëjnë thuajse të pamundur hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, brenda atatit kohor të këtij komisioni, i cili përkon edhe me afatin e përfundimeve të legjislaturës aktuale të Kuvendit. Madje kjo është pohuar edhe nga përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të këtij komisioni, të cilët kanë deklaruar se procesi i hartimit të kodit të ri zgjedhor, mund të zgjas më shumë se sa afati i parashikuar, i 31 korrikut, që përkon me përfundimin e punimeve të Kuvendit për këtë legjislaturë.
PS
Partia Socialiste e cila ka deklaruar se ka hartuar dhe ka gati draftin e propozimeve për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, ende nuk e ka paraqitur këtë draft në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore. Hartuesit e këtij drafti, të cilët kanë qenë një grup ekspertësh në PS-së kanë deklaruar se do ta paraqesin në komision, menjëherë pasi ai të miratohet nga forumet e larta drejtuese të partisë. Konkretisht pritej që drafti për kodin e ri zgjedhor të shqyrtohej dhe të miratohej nga Kryesia e Partisë Socialiste. Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, dhe kjo ka bërë që PS-ja të shtyjë prezantimin e draftit të përgatitur në komisionin për reformën zgjedhore. Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike nuk ka ndonjë draft konkret për të paraqitur në këtë komision. PD, duket se do të veprojë në të njëjtën mënyrë për propozimet për ndryshimin e kushtetutës, duke ja lënë këtë gjë në dorë Partisë Socialiste.
Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh dyshues për një tjetër marrëveshje midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, përsa i përket pikave më të rëndësishme që do të përmbajë kodi i ri zgjedhor. “Unë jam dyshues se në pikat me esenciale ka një marrëveshje që nuk është bërë publike, për sa i takon Kodit, që synon një administrim të njëanshëm të procesit zgjedhor nga ana e PD dhe PS, që do të cenonte të gjithë integritetin e procesit zgjedhor”, tha Meta. I pyetur nëse e shikonte të mundur realizimin e reformës zgjedhore, kryetari i LSI-së tha: “Nga ana teknike, nuk e di nëse është e mundur, pasi kuptohet që Kodi i ri kërkon atë volumin e vetë të formulimeve dhe njëkohësisht edhe të koncensusit. Por, është e rëndësihme rakordimi i të gjithë palëve për një proces të hapur, të barabartë dhe me integritet zgjedhor, ndryshe nga ata të mëparshmit. Këtë kërkon edhe Bashkimi Evropian”, tha Meta.
PR
Përfaqësuesi i Partisë Republikane në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Arjan Madhi tha se praktikisht e shikon të pamundur përfundimin me sukses të procesit të hartimit të kodit të ri zgjedhor, brenda afatit të parashikuar. “Kodi Zgjedhor nuk mund të realizohet brenda këtij sesioni parlamentar që përfundon në 31 korrik dhe nuk ka asnjë arsye që të kërkohet domosdoshmërisht që ai të miratohet brenda 31 korrikut”, tha Madhi. Kryetari i grupit parlamentar republikan tha se aktorët politikë duhet të kenë kohën e domosdoshme për të diskutuar, në mënyrë që të mos e përdorin si një justifikim mungesën e debatit politik për të ngritur temperaturën politike.
Duke folur për ecurinë e deritanishme të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, Madhi tha se “kemi zhvilluar dy takime, të cilat kanë qenë produktive pasi kanë kaluar rreth 40 dispozita të Kodit Zgjedhor. Mendoj se çështjet që janë më të ndjeshme dhe kërkojnë debat më të të gjerë në komision janë çështjet e shpërndarjes se mandateve dhe çështjet e formatitmit të komisioneve zgjedhore”, u shpreh Madhi.
22 Korrik 2008