E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dhe LSI-ja “shkrijnë akujt”, bashkëpunim për reformën zgjedhore



Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste priten të negociojnë për të diskutuar dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët, përsa i përket çështjeve më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore dhe Kodin e ri Zgjedhor. Negociator të të dy palëve, do të jenë pikërisht kryetarët e dy grupeve parlamentare: Valentina Leskaj nga Partia Socialiste dhe Pëllumb Xhufi për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaroi dje se kryesia e LSI-së ka ngarkuar Zëvëndëskryetarin Pëllumb Xhufi për të negociuar me Partinë Socialiste dhe partitë e tjera për çështjet e reformës zgjedhore dhe kodit të ri elektoral. “Dua t’ju informoj se Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka angazhuar Kryetarin e Grupit parlamentar dhe Zv.Kryetarin e LSI-së, z.Xhufi që të zhvillojë takime me Kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, znj. Leskaj, por edhe me përfaqësues të tjerë të forcave politike në Kuvend, lidhur me çështjet më të rëndësishme të Reformës Zgjedhore dhe Kodit të ri Elektoral për të bërë të qarta qëndrimet tona, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të prekë Kodi Elektoral”, u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh kundër idesë për të shtyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për zhvillimin e tyre në vjeshtë të vitit 2009. Meta tha se LSI kundështon çdo përpjekje për të shtyrë mandatin e qeverisë së dështuar të Sali Berishës. “Unë do t’ju them se si përfaqësues të opozitës ne nuk jemi të interesuar për të zgjatur në mënyrë të paligjshme mandatet e kësaj Qeverie, por përkundrazi jemi të angazhuar për t’u ndarë sa më shpejt nga kjo Qeveri e Kryeministrit Berisha. Çdo përpjekje për të zgjatur mandatin e kësaj Qeverie, në emër të gjoja plotësimit të standardeve, pa dyshim që do të ishte një marrëveshje në kurriz ta stabilitetit të vendit dhe të reformave që janë bllokuar. Dhe e vetmja zgjidhje është, sikurse e theksova këtu pak ditë më parë, pas raportimit të ministrit Nishani në komision për kartat e identitetit, plotësimi në kohë i të gjitha detyrimeve që ka Qeveria lidhur me realizimin e kartave të identitetit dhe gjithë infrastrukturës teknike dhe fizike të procesit zgjedhor dhe këtu do të këmbëngulë e gjithë opozita”, tha Meta.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›