“Kodi i ri Zgjedhor, të përfundojë sipas marrëveshjes”

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan i bën thirrje partive kryesore ta mbyllin sa më parë kodin zgjedhor.
Kukan shprehet se ka pritshmëri që ky ligj i ri elektoral do të përbëjë kthesën në historinë e zgjedhjeve shqiptare.
“E keqja është se reforma elektorale nuk është përfunduar plotësisht. Unë e kuptoj se është përmbyllur 90 për qind e marrëveshjes, por nuk është mbyllur e gjithë marrëveshja. Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë një tjetër mundësi, janë mundësia që të ndryshohet, më në fund, historia e zgjedhjeve në Shqipëri. Sepse pas çdo zgjedhjeje ka pasur probleme, ka pasur vështirësi. Me këtë gjykim real themi se kodi elektoral duhet të mbarojë, sipas marrëveshjes. Unë vazhdoj të shpresoj e të uroj se pas kësaj do të mund të kemi zgjedhje të lira e demokratike në Shqipëri. Kjo është ëndrra ime”, tha Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore.
Deklaratat Kukan i bëri pas mbledhjes parapërgatitore të grupit të punës që do të organizojë takimin e 5-të të Komitetit Ndërparlamentar për Stabilizim-Asocimin BE-Shqipëri. Në këtë mbledhje të pestë vjetore, që do të zhvillohet në 11 dhe 12 korrik, pritet të analizohen reforma në drejtësi, ajo parlamentare, e imuniteteve, ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe veçanërisht reforma zgjedhore, si dhe të jepet një mesazh të qartë se sa vendi ynë ka përmbushur standardet e kërkuara për marrjen e statusit kandidat.