E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri zgjedhor, miratohen 5 nenet e para

Tiranë- Komisioni parlamentar i kodit zgjedhor miratoi sot 5 nenet e para për metodologjinë e punës, e cila përbën dhe pjesën e parë të ligjit zgjedhor. Komisioni ka rënë dakord që të mos bëhen amendamente apo arnime, por të hartohet një kod i ri.

Neni 1 ka të bëjë me qëllimin dhe objektin e këtij ligji; neni 2 përfshin përkufizimet e ndryshme që nga data e zgjedhjes e deri tek përcaktimi për periudhën zgjedhore; neni 3 përcakton parimet e përgjithshme që do të përfshihen në kod; neni 4 saktëson orarin e votimit, që do të nisë nga ora 07.00- 17.00 dhe neni 5 ka të bëjë me të drejtën për të përcaktuar vëzhgues.

Sipas bashkëkryetari socialist të komisioni, Fatmir Xhafaj, sot u ra dakord për metodologjinë e punës së tij dhe kjo ishte pjesa e parë. Ndërsa në mbledhjen e ardhshme do të shqyrtohet regjistrimi i subjekteve zgjedhore, koalicionet, partitë politike, kandidatët që vijnë si propozim i një grupi zgjedhësish dhe më pas do të jetë grupi që ka të bëjë me listat zgjedhore.

“Mendojmë që të hënën të jetë mbledhja e ardhshme e komisionit për të kaluar pjesën tjetër të kodit", tha ai.

Sipas tij kodi zgjedhor mbi të cilin po punonkomisioni parlamentar do të jetë një kod i ri integral, dhe jo një kod i ndryshuar sikurse ka ndodhur më parë.

Komisioni për kodin zgjedhor, i ngritur me një vendim të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë ka qëllim realizimin e ligjit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, të pasqyruara në raportet e publikura prej tyre, ku jepet problematika e proçeseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›