Një zyrtar amerikan bëhet qytetar shqiptar
Tiranë- Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, Majkëll Granof ka marrë sot shtetësinë shqiptare. Dekreti i është dhënë nga vetë presidenti shqiptar, Bamir Topi.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidentit, z.Aleksandër Flloko, lexoi një biografi të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së z. Majkëll Granof në vendin tonë dhe më pas dekretin përkatës të Presidentit të Republikës. Ky dekret, në vijim iu dorëzua z. Majkëll Granof nga vetë Kryetari i Shtetit shqiptar.
Ndërsa z. Granof, në fjalën përshëndetëse ka falenderuar për ceremoninë. “Ky nderim nuk ka të bëjë pikërisht vetëm me mua, por ka të bëjë me Bordin e Drejtuesve, me administrimin, me punonjësit si të Fondit, ashtu dhe të Bankës, dhe është rezultat i përpjekjeve dhe punës së tyre gjatë këtyre viteve, unë jam thjesht simboli”- tha ai, duke shtuar se qytetaria është diçka shumë private, nuk është diçka që mund t’i jepet një kompanie, apo një institucioni.
Ai e ka quajtur një dhuratë shumë të madhe qytetarinë shqiptare. “Për një njeri i cili nuk kishte takuar asnjë shqiptar më parë kjo gjë sot është një dhuratë shumë e madhe, është një pikë kulmore në jetën time”- tha më tej ai, duke përfunduar me garancinë se nuk ka ka ndonjë qëllim t’i hyjë politikës.