Lojë me klane dhe spiunë
Kriza e re politike, e shfaqur këto ditë me zvarritjen e Kodit Zgjedhor dhe përpjekjet për imponimin e Projektligjit “Për Pastërtinë e Figurës”, është frikshëm e ngjashme me ato që kemi përjetuar për vite me radhë. Qëndrimi në vend dhe zvarritja, kanë qenë mënyra e rëndomtë për të penguar, së paku vonuar, integrimin euro-perëndimor të vendit.
Veçmas, ndarja me të kaluarën, ka mbetur tashmë si një sfidë pa kuptim. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar në vitin 1996 Rezolutën nr. 1096, mbi "Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste" dhe në vitin 2006 Rezolutën nr.1481, mbi "Domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste". Edhe Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar në tetor të vitit 2006 Rezolutën "Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri". Mirëpo, më pas, draftet e paraqitura nga disa forca politike, e madje edhe nga individë, kanë mbetur në sirtarë për vite me radhë. Dhe kur vjen dita për të bërë një ligj e për t’i thënë një të shkretë lamtumirë komunizmit, qëndrimet e skajshme politike shkaktojnë menjëherë krizë. Sot e kanë të qartë edhe fëmijët e shkollave se kapitullimi i politikës përpara fuqisë së klaneve, është shkaku kryesor i zvarritjeve (që hera-herës të duket se bëhen me qëllim) dhe i mundimeve (që s’kanë të sosur për qytetarët e këtij vendi).
Përpjekjet e tanishme për të shtyrë e deformuar ligje të rëndësishme, janë lojëra politike që kanë prapavijë krejt të qartë. Të zgjasin sa të mundin lumturinë e klaneve. Lumturitë e pjesshme. Por edhe qetësinë e tyre. Kjo do të thotë se duhen grimcuar e, mundësisht, lënë në harresë ngjarjet e rënda e që bien erë dështim, si tragjedia e Gërdecit; po ashtu, lidhjet e qeveritarëve me këtë dhe krime të tjera, ende të pandëshkuara. Më e pakta, synohet zvarritja e disa proceseve, përfshirë atë për rrugën Durrës-Kukës, çështjen Fazlliç, etj., deri në bjerrje të interesit publik për ta.
Mirëpo, nga ana e qeverisë dhe e partive politike “të djathta”, gjithçka paraqitet si një luftë e shenjtë, si një detyrë madhore; të thuash, klaneve po u regëtin zemra për të vendosur më në fund drejtësi. Por janë po këta politikanë, që të përndjekurve nuk u kanë dhënë asgjë, që “klasave të përmbysura” nuk ua kanë kthyer pronat, që në Kuvend e në administratë nuk kanë sjellë kërrkënd prej atyre shtresave, për të cilat (thonë se) iu dhemb shpirti. Nuk ishte kjo më e mira që mund të bëhej për atë pak aristokraci të gjymtuar të këtij vendi. “Një lartësi e përulur, në mund të afrojë e të lidhë dy fjalë aq të përkundërta”, siç thoshte Faik Konica për Gjeçovin.
Më tej, nuk ka gjë më të shëmtuar e më në akord me praktikat komuniste se sa përdorimi pa fund i së shkuarës për të përmbyllur hallet e çastit. Dhe këto halle fillojnë me rritjen galopante të çmimeve, për të vazhduar me padrejtësitë në drejtësi, me gjendjen skandaloze të sistemit të shëndetësisë, me papunësinë që askënd nga politikanët s’e trazon, me kaosin e stimuluar në arsim, me përmbytjet që gjithashtu s’u del zot askush, me rëndimin e treguesve të mjedisit, për t’u kurorëzuar me proceset që e kanë zënë qeverinë për fyti. Gati 18 vjet nuk mjaftuan për të dënuar njëherë e mirë krimet e komunizmit dhe për të qëruar spiunët nga jeta politike dhe më gjerë.
Që pastaj të fillonte një erë tjetër, ku të mos vendoste më “biografia”, por ligji dhe aftësitë vetjake të njerëzve. Është kaq komike! Spiunët japin mend nëpër studiot e televizioneve; ata janë në Kuvend e në qeveri. Janë bërë publike kushedi sa herë pseudonimet dhe shërbimet e tyre. Shumë politikanë të akuzuar si të tillë, pjesë e klaneve mëtonjëse, nuk i kanë kundërshtuar asnjëherë akuzat dhe denoncimet. Por, me sa duket, dinë të shërbejnë mirë. Prandaj ledhatohen dhe përdoren.
I janë dashur dhe i duhen “shefit”, që në gjithë këtë tranzicion të lodhshëm, identifikohet si President, si Kryeministër, si kryetar i përjetshëm i demokratëve dhe i demokracisë, por tekefundit, s’është veçse një ish-komunist, një ish-sekretar partie i PPSH-së, të cilin, tentativat për pastrimin e figurave, gjithashtu duhej ta kishin mënjanuar me kohë e me vakt. Por jo. Komunistët e regjur dhe politikanët me dosje, “do t’ia hedhin” sërish. Lodër...Lodër me klane dhe spiunë.