E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lot krokodili

Në mite a anekdota, thuhet se “krokodili han e qan”. Këtu e ka origjinën dhe emërtimi i sëmundjes në rastin e një paralize parciale në faqe të pacientit, që provokon lot gjatë të ngrënit. Ajo quhet dhe sindroma e “lotit të krokodilit”.

Duke e studiuar një dukuri të tillë, në Universitetin e Floridës, është arritur në përfundimin se krokodili mund të derdhë lot, të shkumojë apo flluskojë gjatë një “banketi”, por ama për arsye fiziologjike dhe jo për ndonjë “keqardhje reptiliane”...Në fakt, lotët e krokodilit nuk janë autentikë. Edhe pse ata nuk shfrytëzojnë kanale të mirëfillta lotësh, kanë disa gjëndra lakrimale, që sekretojnë një fluid të tipit proteinik. Bile, nga studimet e fundit në Florida, shihet se në këta kafshë ushqimi shoqërohet shpesh me një farë fishkëllimi. Pikërisht, ajri i presuar në këtë rast, pas kalimit nëpër sinuse, përzierë me sekrecionin prej gjëndrave e zbrazur në sy, shkakton dhe lotët e krokodilit gjatë të ngrënët.

Pra, për krokodilin, “derdhja e lotëve” nuk ka kuptim të përfshihet midis të dhënave biologjike-fiziologjike. Ndërsa, shumë shekuj më parë, midis legjendës e besimit, pretendohej se krokodili derdhte lot kur asgjësonte prenë e vet. Pikërisht, prej këtij besimi të vjetër dhe të gabuar e ka origjinën e vet edhe shprehja “lot krokodili”, që shfrytëzohet kur bëhet fjalë për një derdhje fals lotësh, për një sjellje hipokrite, për një shprehje gjoja keqardhjeje apo një reagim emfatik të njeriut, që derdh lot në “publik”. Pra, edhe pse këta lot krokodili “shkarraviten” në fytyrë, ata nuk janë fare të sinqertë, deri teatralë e manipulues.

Edhe pse pretendohen burime të shkruara më të hershme, njëri prej tyre (“The Voyage and Travel of Sir John Mandeville”) është dhe ai i viteve 1400. Sidoqoftë, për shumë historianë pranohet se shprehja “lot krokodili” në variantin e sotëm ka filluar të ndeshet gjithnjë e më shpesh aty në mes të viteve 1600. P.sh., Grindal (Edmund Grindal), peshkopi i Jorkit e Kanterberit, e ka përdorur këtë shprehje më 1563-shin, për të mishëruar mungesën e sinqeritetit të ndonjë besimtari të tij. Një pamje letrare të saj e ndeshim në gojën e Otellos, tek Shekspiri (Akti 4, Skena 1): “O djall! Sikur toka të gëlojë në lot gruaje, e çdo pikël e tillë loti një provë krokodili, jashtë pamjes time...”.

Më tej, kjo shprehje “lot krokodili” është shtrirë në të gjitha fushat e fetës. Aq sa, gradualisht, pagëzimi me “lot krokodili” për politikanë pa skrupuj e tregtarë zhvatës u bë fare normal. Nuk kanë munguar e mungojnë rastet kur për të gjeneruar këta “lot krokodili” të jenë aktivizuar në “memorie” dhe ngjarje të mëparshme, ripërtëritje dhimbjesh e humbjesh, ose të jenë shfrytëzuar materiale fizikisht ngacmuese (si piperi, qepa, sapuni, etj.), pikërisht për të induktuar “lot krokodili” apo për të nxitur efekte manipuluese të këtij lloji...

Shprehja “lot krokodili” i referohet një skenimi fals apo “shpërthimi” të pasinqertë emocionesh. Pikërisht, sjellje të këtij lloji me “lot krokodili” e ndeshim, në variante të ndryshme, dhe në politikën shqiptare. P.sh., një variant i tillë është ai që lidhet me mungesën e principialitetit ndaj kundërshtarit politik, shoqëruar dhe me papërgjegjshmërinë e fjalës publike. Në llojin e vet më të turpshëm ky variant është dhe ai i sulmit apo akuzës së kundërshtarit me të gjithë “arsenalin e rrugës”, me epitete nga më monstruozet, me rreshtime të përditshme bëmash, që do të tronditnin dhe mendjet më të sprovuara. Dhe, ajo që të çudit më shumë është se në një kohë tjetër na pohohet pa dredhje qerpiku e zbehje zëri se e gjitha kjo ishte e pavërtetë, një gënjeshtër thjesht për lojë politike e fushatë elektorale, për dëngla individuale apo mbyllje goje! Bile, duke imituar goditjet familjare “ala komuniste”! Pra, fare skandaloz është fakti kur po ky arsenal i mbrapsht fjalësh, kjo rrëke e “sëmurë” pseudo-fakteve e akuzash, përfshin dhe të afërmit e individit të anatemuar...

Dhe kjo ka ndodhur e po ndodh për vite. Me të njëjtin burim e rrethin e tij, me të njëjtin intensitet e energji të sëmurë! Sidoqoftë, diku harresa bën punën e saj, diku ish tellallët e mëparshëm të kësaj skeme “inkuizicioni”, mbulojnë po me të njëjtin devocion punën e dikurshme, pikërisht për ta zhdukur të vërtetën apo dhe për ta ribërë pseudo-akuzën, ngjarjen apo historinë. Për fat të mirë, për të freskuar memorien kolektive dhe reagimin qytetar, na dalin në mbështetje ngjarje të reja, pavarësisht, që në “mbulesën” e tyre kontradiktore ata janë afatshkurtra.

Fyerja dhe reagimi i këtyre ditëve i një qytetari tolerant,intelektuali dinjitoz, aktivisti publik e juristi elegant, më detyroi të shkruaja këto radhë. Sepse heshtja e jonë veçse na e ka bërë këtë gjuhë të përdalë, sa të përditshme, po aq të bezdisshme. Bile, tashmë kjo lloj historie po na bëhet sa e dhimbshme, po aq dhe me ngjyra tragjiko-komike për veshin e syrin qytetar, për një mendje normale. Sidomos, kur pas një rrëkeje fjalësh, akuzash e fyerjesh, na fillon apo shfaqet pa “pikë-presje” rrëkeja e fjalëve në drejtim të kundërt! Dhe, tashmë, me një pseudo-sjellje prej babaxhani, për të pretenduar tashmë për të kundërtën, për të manifestuar një veshje gjoja intelektuale, bile “burrërore”, e jo thashetheme “grash”! Bile, duke harruar pas pak minutash “vargjet” e para (si mishërim tipik të stilit të biografive të dikurshme) për të intonuar disa vargje të reja apo pozicionime deklarative antibiografike, deri për të manifestuar “zemërgjerësi” e “korrektësi” ndaj familjes së kundërshtarit, por ama pas zhyerjes “vençe” të së nënës, gruas apo motrës së tij.

E parë në kontekstin e mungesës së seriozitetit, në zhurmën e zakonshme të demagogjisë, të pacipërisë e “pisllëkut”, në vorbullën e përditshme të fyerjeve politike të inteligjencës qytetare, kjo sjellje tashmë e stërzgjatur në vite dhe e padurueshme në efekte, me mungesën e tolerancës, tensionimin dhe depresionin shoqëror të krijuar, mund të klasifikohet në vargun e paralelizmave shqiptarë të “lotit të krokodilit”! Në këtë rast, në variantin publik të deklarimeve 180-gradëshe, që, të paktën, të bezdisin, deri të vrasin shpirtërisht e moralisht, por, për fat të mirë, ende jo fizikisht. Sepse, në variantin e fshehtë (le ta quajmë të brendshëm apo “privat”), kjo sjellje e “lotit të krokodilit” mund të shfaqetedhe gjatë qarjes së ditës, për vrasjen e natës!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›