E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, si zëvendësohen anëtarët e KQZ-së

30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji, Kuvendi zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas një formulë të mirëpërcaktuar

TIRANË- Pas firmës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për dekretimin e kodit të ri zgjedhor, KQZ-ja do të jetë institucioni i parë, që do të pësojë ndryshime drastike në përbërje. Kjo është sanksionuar farë qartë në kodin e ri zgjedhor. Kodi parashikon etapat e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, por edhe largimin e butë të atyre aktualë.

Anëtarët e ardhshëm

Në bazë të kodit të ri zgjedhor, Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas një formulë të mirëpërcaktuar. Konkretisht, 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve ngashumica parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka më shumë vende në Kuvend. Anëtari i pestë i KQZ-së do të zgjidhet nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, duke përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Ndërsa anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive opozitare parlamentare, duke përjashtuar partinë më të madhe opozitare. Ndërsa anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetari i KQZ-së, zgjidhet sërish nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare, sipas një procedure të mirëpërcaktuar në kod. Betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së do të kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes.

Anëtarët aktualë

Për herë të parë, kodi i ri zgjedhor ka parashikuar një largim të butë për anëtarët aktualë të KQZ-së. Në një nga nenet e këtij kodi, anëtarët e KQZ-së që u ndërpritet mandati para kohe për shkak të këtij kodi, do të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin me anëtarët e rinj. Pra, anëtarët aktualë do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në momentin që Kuvendi do të zgjedhë 7 anëtarët e rinj. Gjithashtu, anëtarëve, të cilëve u ndërpritet mandati, (në këtë rast atyre aktualë) do të përfitojnë pagën e funksionit deri në përfundimin e mandatit, por jo më shumë se tre vjet dhe njëkohësisht ky anëtar kthehet ne vendin e punës së mëparshme ose emërohet në një vend ekuivalent me të.------------------------------------------------------------------------------Për ambasadorin e OSBE-së, debati për cilësinë e kodit është i kaluar

Kodi i ri, OSBE-ja kërkon zbatimin praktik TIRANË- Kodi i ri zgjedhor ka marrë edhe “bekimin” e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. Një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë finalizoi një proces tepër të vështirë, duke miratuar ligjin e ri zgjedhor, zyra e OSBE-së në Tiranë, nëpërmjet kreut të saj, Robert Bosch, ka përshëndetur këtë vendim, pavarësisht kundërshtive, që kanë shprehur disa forca të vogla në lidhje me përmbajtjen e këtij ligji. Gjatë një prononcimi mediatik, ai ka theksuar se fakti që kodi zgjedhor u miratua me një shumicë pothuajse absolute nga Kuvendi, tregon se ai ka gjetur një mbështetje të madhe. Duke e cilësuar debatin për cilësinë e kodit si të kaluar, Bosch i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të kontribuojë në zbatimin e tij në terren, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mund të arrijnë standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit në strukturat Euro-Atlantike. Ambasadori Robert Bosch, tha dje se “ndërsa kodi zgjedhor është aprovuar nga Kuvendi me një shumicë të gjerë, ka ardhur koha të përqendrohemi në zbatimin praktik të kodit, në mënyrë që të sigurohet që, zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin tjetër, të zhvillohen në përputhje me angazhimet ndërkombëtare”. Gjithashtu, ai ka shprehur vullnetin e plotë të organizatës që ai përfaqëson në vendin tonë për të kontribuar në të gjitha mënyrat për një aplikim si duhet të të gjithë këtij ligji tepër të rëndësishëm. “Prezenca e OSBE-së qëndron e gatshme të ndihmojë në zbatimin e Kodit,”- tha ambasadori Bosch. Ambasadori i OSBE-së, Bosch, u bë protagonist, disa ditë më parë, në debatin për kodin zgjedhor, pasi brenda një dite shprehu dy qëndrime krejt të kundërta në lidhje me cilësinë e atij ligji, që në atë kohë ishte ende një draft.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›