Shqipëria, e fortë edhe me gjykim skandaloz
Kuqezinjtë edhe një herë tjetër kanë treguar se dinë të rezistojnë me 10 futbollistë në fushë
Një kombëtare sërish e fortë. Nuk është më punë fati, madje edhe kur gjyqtarët i ke totalisht kundër. Një gjykim skandaloz, që do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët. Nuk e kuptuam tendencën e treshes së gjyqtarëve gjeorgjianë, të cilët hapur dhe në mënyrë demonstrative na kanë ndëshkuar. Nuk mjaftoi goli i parë i miqve, totalisht në pozicion jashtë loje, apo momente të tjera, por vjen fundi i pjesës së parë dhe ai pa iu dridhur fare dora nxjerr një karton të kuq për Beqirin. Absurditet! Beqiri është ndëshkuar vetëm për një fjalë, pa ndërhyrë rëndë në dëm të kundërshtarit, aq më tepër në një ndeshje miqësore. Dhe normalisht në kësi rastesh ekipi goditet psikologjikisht. Ekipi ynë për një moment u duk sikur u dorëzua dhe kjo ndeshje përfundoi. Skela & Co mund edhe ta kishin braktisur ndeshjen, por ndërhyrja e trajnerit Han bëri që të përfundonte pjesa e parë. I gjithë stoli ynë, madje edhe drejtuesit e FSHF-së në tribunë janë revoltuar shumë, aq sa kanë zbritur në dhomat e zhveshjes dhe janë konsultuar me djemtë kuqezinj. Edhe pse pati ndonjë alibi për braktisje të ndeshjes, tanët kanë zbritur në fushë, duke treguar edhe një herë shpirtin luftarak, madje duke u përpjekur të shënonin, çka do të ishte "hakmarrja" më e mirë ndaj atij gjyqtari, që edhe amatorët nuk gjykojnë ashtu, jo një që mban stemën e FIFA-s. U ndalëm gjatë te gjykimi, sepse ka qenë pikërisht ky momenti më deciziv i takimit, që prishi jo vetëm ekuilibrat e një ndeshjeje normale, por prishi të gjithë takimin miqësor dhe atmosferën.
Në fushë ndaj Azerbajxhanit kishim një ekip më të rinuar dhe loja nis mirë menjëherë, duke kërkuar golin me kundërsulm. Po ku për faj tonin, ku për faj të gjyqtarit, vendësit na ndëshkojnë me kundërzbritjen e parë të tyre. Por kundërpërgjigjja jonë do të ishte e menjëhershme. "Truri" i ekipit shqiptar, njëkohësisht edhe kapiteni në këtë ndeshje, Ervin Skela, nuk do të falte në mundësinë e parë që i është krijuar. Ishte pasimi perfekt i Berishës që ka nxjerrë të lirë Skelën përballë portierit dhe aty mesfushori ynë nuk fal. Kuqezinjtë marrin zemër dhe fillojnë të organizohen më mirë. Por gjyqtari provokon herë pas here tanët me faulle të paqena, me kartonë të verdhë, ndërsa edhe anësorët bëjnë punën e tyre në dëm të skuadrës tonë, duke dhënë pozicione jashtë loje të paqena. Megjithatë, në fillim lojtarët shqiptarë menduan se ishin thjesht gabime, që natyrisht ndodhin. Por kur erdhi rasti i ndëshkimit të Beqirit, atëherë ky gjykim e kaloi cakun dhe më naivi e kuptoi që ishte tendencioz. Në barazim 1-1 mbyllet pjesa e parë dhe kuqezinjtë ishte logjike që në pjesën e dytë më shumë do të mbroheshin, kjo edhe për shkak të forcave në fushën e lojës. Për këtë mendon edhe trajneri holandez Han, i cili fut Lilën, që duhet thënë që ka bërë një lojë shumë të mirë, qoftë në fazën difensive, por edhe atë sulmuese, duke marrë 2-3 inkursione vetjake në krahun e djathtë dhe duke krosuar në zonën kundërshtare, por që nuk janë shfrytëzuar ashtu siç duhet nga shokët e tij. Azerbajxhanasit zbresin rrezikshëm disa herë, por sidoqoftë nuk finalizojnë mirë, kjo edhe për aftësi të portierit tonë Hidi, i cili është treguar në lartësinë e duhur. Por nga fundi ekipi ynë merr zemër, ndoshta edhe nga stepja e vendësve. Lika dhe më pas Sukaj i japin gjallëri lojës sulmuese, por sidoqoftë mungon edhe te skuadra jonë finalizimi. Kështu, pas 6 minutave shtesë, përfundon 1-1 kjo ndeshje, që për nga zhvillimet brenda saj, sërish merr epitetin "dramatike". Sidoqoftë, kuqezinjtë dalin krenarë nga fusha e lojës, si për të thënë që, nëse do të ishin 11 në fushën e lojës, me siguri Shqipëria do të kishte fituar. Përpara është Malta në muajin shkurt dhe tanët e treguan se edhe në transfertë mund të marrin fitore, duke lënë të harruar Hungarinë. Risia e këtij takimi ishte Gilman Lika, që bëri debutimin e tij me kombëtaren, duke lënë të kënaqur jo vetëm trajnerin Han, por edhe tifozët. Tani të gjithë presin fitoren në Maltë, që jo vetëm do të rriste shpresat te të gjithë shqiptarët, por edhe do të tregonte se Shqipëria mund të marrë disa rezultate pozitive radhazi, duke treguar vazhdimësinë e lojës së mirë.
Presidenti i FSHF-së i thotë gjyqtarit në pushim: "Më mirë ne të ikim dhe luaj vetë me Azerbajxhanin"
Duka: Gjyqtari na e shkatërroi ndeshjen
I çuditur nga vendimet e gjyqtarit gjeorgjian të FIFA-s, Lasha Silagava, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbritur nga tribuna në dhomat e zhveshjes, për t'i thënë diçka. "Na i shkatërroi ndeshjen. Ne kishim ardhur për të luajtur një miqësore,"- u shpreh ndër të tjera kreu i institucionit të futbollit shqiptar, menjëherë pas ndeshjes. Në linjë telefonike nga Bakuja, Duka komenton atë që ndodhi në miqësoren me Azerbajxhanin dhe tregon se çfarë i tha gjyqtarit në dhomat e zhveshjes. Për më tej, ja si u shpreh ai:
- Zoti Duka, cili është komenti juaj për këtë miqësore, ku protagonist ishte gjyqtari?
- Për ta përmbledhur me një fjali, mund të them se, pak a shumë, kjo ishte një ndeshje e shkuar kot për ekipin tonë kombëtar. Në mirëkuptimin teknik apo taktik të ndeshjes, them se gjyqtari e shkatërroi atë. Por në një këndvështrim tjetër, mendoj se skuadra u irritua tej mase nga ky lloj qëndrimi dhe tregoi karakter të fortë. Kjo besoj se na bëri mirë vetëm në këtë pikë.
- Kemi mësuar që shkuat për t'i kërkuar sqarime gjyqtarit në pushim të ndeshjes. Çfarë ju tha ai?
- Po, është e vërtetë. Në pushim të ndeshjes i kam shkuar gjyqtarit gjeorgjian në dhomat e zhveshjes, bashkë me një përfaqësues të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit. I kam thënë që t'i nuk ke asnjë të drejtë për të prishur futbollin, sepse kemi ardhur në Azerbajxhan për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Gjithashtu, i bëra të ditur, që nëse do të vazhdojë me të tilla vendime tendencioze, më mirë ne të ikëm dhe ai të luante vetë me Azerbajxhanin. Në pjesën dytë, sikur e ndryshoi pak qëndrimin e tij.
- Përtej gjykimit, si ju duk loja e kuqezinjve?
- Me thënë të drejtën, duke anashkaluar gjyqtarin, gjatë pjesës së parë nuk ishim në një gjendje të mirë. Megjithatë, në pjesën e dytë ekipi u mobilizuam shumë, ndërkohë që azerbajxhanasit sikur u nervozuan disi. Mbi të gjitha në këtë miqësore, çunat treguan karakter.
Azerbajxhan - Shqipëri1-1Shënues: Subashiç 4', Skela 11'
Azerbajxhani: Medijev (Velijev 46'), Junisolu, Çertokanov (Abdullajev 79'), Abasov, Sadikov, Shukurov, Ndika (Daligov 46'), Zeinelov, Zhevatov, Mamadov (Hysenov 46'), Subashiç (Nadirov 69').
Trajner: B.Vogst
Shqipëria: Hidi, Dallku, Beqiri, Vrapi, Curri, Vangjeli (Lila 46'), Bulku (Muzaka 90+6'), Agolli, Skela, Duro (G.Lika 72'), Berisha (Sukaj 85'). Trajner: A.Han
Gjyqtarë: Lasha Silagava, Z.Zhvarixe, G.Çigogixe (Gjeorgji)
Kartonë të verdhë: Agolli, Vangjeli, Skela, Zeinelov, Nadirov
Karton i kuq: Beqiri
Gjyqtari i kërkon falje
Beqiri: Kartoni? Ishte një keqkuptim
Vendimi i gjyqtarit gjeorgjian, Lasha Silagava, për ndëshkimin me karton të kuq të Elvin Beqirit gjatë minutave të fundit të pjesës së parë, i la të gjithë të habitur. Por vetë mbrojtësi, në një lidhje telefonike për "Supersport" nga Baku, ka sqaruar rastin, duke theksuar se ishte një keqkuptim i gjyqtarit, i cili në fund i kërkoi falje. "Unë kam komunikuar pas ndeshjes me gjyqtarin, për t'i kërkuar sqarime rreth kartonit të kuq. Ai më kërkoi falje për këtë vendim. Ishte një keqkuptim i tij, pasi unë iu drejtova me fjalë sulmuesit azerbajxhanas. Për çudi, gjyqtari kujtoi se iu drejtova atij, ndërkohë që kurrsesi nuk po flisja me të. Kjo ishte e gjitha,"- sqaroi futbollisti shkodran. Sipas tij, pavarësisht këtij episodi, në tërësi gjykimi i Silagavës ishte shumë tendencioz ndaj kombëtares shqiptare. "Dukej qartë që gjyqtari donte të na dëmtonte me ato vendime të çuditshme. Ishte shumë tendencioz,"- përfundoi Beqiri.